Transmetuar më 19-05-2022, 13:25

Tiranë – Opozita, pjesa e kontrolluar nga Basha do të ketë të drejtën të propozojë emrat për President të ri të Shqipërisë në dy raundet e ardhshme, ku kreu i grupit të PD Enkelejd Alibeaj arriti dakordësinë me grupet e tjera opozitare që në total opozita të propozojë 4 emra, ku dy do të jenë nga grupi i PD dhe 2 nga Fatmir Mediu dhe Mesila Doda.

Ky vendim i marrë në mbledhjen që Alibeaj bëri me Mediun dhe Dodën, iu përcoll edhe deputetëve të grupit të PD, ku 23 prej tyre iu përgjigjën ftesës për të marrë pjesë në takim.

Ndërkohë që Grupi i Rithemelimit nuk mori pjesë në mbledhje pasi e cilëson si pazar dakordësinë e arritur mes Alibeajt dhe PS për zgjedhjen e presidentit.

Kjo ka bërë që deputetët e PD të nisin propozimet e para të emrave, të cilët janë Arben Çejku, Leonard Demin, Dritan Demiraj, Visar Zhiti, Rexhep Uka, Halim Kosova, Dashamir Shehi, Leka Zogu. Në mbledhjen e grupit të PD kanë marrë pjesë 23 deputetë, ndërsa Alibeajt i duhen 20 firma për të propozuar emrin e 2 kandidatëve për president që do t’i paraqesë në dy raundet e ardhshme.

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit do të jetë në datë 23 maj ora 18:00, ku priten emrat nga opozita. Raundi i parë dështoi pa asnjë emër për presidentin e ri të Shqipërisë.