Transmetuar më 20-05-2022, 11:22

Petrit Vasili në emër të LSI ka reaguar ashpër për raportin e fundit të FMN, duke kryqëzuar taktikat propagandistike të qeverisë së Edi Ramës me të ashtuquajturit borde të çmimeve, që në fakt i konsideron “masha” të ekzekutivit për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve:

“Të shkrihet menjëherë Bordi i Trasparencës si gjymtyrë e hajdutërisë shtetërore! Qeveria për problemin më kritik të rritjes së çmimeve ka zgjedhur në mënyrë abuzive formën më të shëmtuar të pazarit mes vetes dhe monopoleve.

Duke ngritur një bord, që në themelin e tij vendos marzhin e fitimit të bisneseve, ai është qartë një gjymtyrë e oligarkëve klientë të qeverisë për pazarin qeveri-oligarki. Vendosin pra se sa do të fitojë privati, por jo kurrsesi se sa do të lehtësohet qytetari.

Taksat që merr qeveria mbeten të pandryshuara dhe qeveria fërkon barkun që po mbledh qindra-miliona euro më shumë në kurriz të buxhetit familjar të qytetarëve.

FMN shprehet shumë qartë kundër bordit të transparencës dhe thotë: "Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara, me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së çmimeve.

Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”.

Pra, shkrirja e menjëhershme e bordit është vetëm hapi i parë për asgjësimin e këtij instrumenti mafioz hajduterie shtetërore”.