Transmetuar më 20-05-2022, 11:37

Kraja për Kreu i SPAK, Arben Kraja, raportoi sot në komisionin parlamentar të ligjeve. Kjo koincidoi një ditë pas finalizimit të aksionit të koduar “Golden Bullet”, që dërgoi në arrestimin e 18 personave dhe shpalljen në kërkim të dhjetëra të tjerëve, disa prej të cilëve krerë bandash të njohura në vend.

Për mënyrën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, Kraja u shpreh: “Ne kemi ngritur një laborator të ekspertimeve digjitale me fondet e konfiskuara nga aktiviteti kriminal. Kemi aplikuar, kemi marrë fondin, janë blerë pajisjet. Kemi marrë tre nga ekspertët më të mirë që janë në vend dhe laboratori është bërë efiçent në fund të vitit 2021.

Janë trajnuar prokurorët e hetuesit e BKH. Për periudhën e fundit kanë kryer 118 akte ekspertimi. Kemi ushtruar funksionin me një staf prej 13 prokurorësh nga 20, sa është miratuar nga Kuvendi. Në korrik kemi emëruar 2 prokurorë, duke u bërë 15 dhe në dhjetor 2 të tjerë, duke shkuar në 17. Nga shtatori 2021 kanë filluar detyrën oficerët e BKH.

Është bërë vlerësimi i punës për të gjithë stafin. Janë parashikuar mbi 340 milionë lekë për efekt personeli. Në strukturë janë miratuar 164 punonjës. Prokurorë, nga 20 kanë qenë 15. Hetues në BKH kanë qenë 29.

Gjatë vitit të kaluar kemi vënë në evidencë zyrën e përgjimeve, e atashuar pranë Prokurorisë së Posaçme. Për periudhën e fundit kemi marrë akte ekspertimi. Bazën e të dhënave, bazuar në ligjin për SPAK kemi të drejtë ta aksesojmë. Duhet të kemi infrastrukturë të ngritur e më pas të marrësh sisteme. Kemi ngritur infrastrukturë moderne.

Rrjetet tona janë certifikuar. Kemi siguruar lidhje me fibër optike. Të punosh nga sistemi me letër e të kthehesh në sistem elektronik ka vështirësi. Aktualisht jemi në proces të blerjes së pajisjeve. Kemi marrë informacione nga një sërë institucionesh. Kemi vlerësuar bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar. Kemi pasur rritje për ndihmë juridike, 50% është kthyer përgjigje".

Natyrisht, Arben Kraja u pyet edhe për sulmet e kreut të qeverisë, kërkesën e tij publike për të hetuar Berishën dhe Metën. Kreu i SPAK u tregua i qartë në këtë pikë: “Askush nuk mund t’iu thotë prokurorëve çfarë të hetojnë. Ju kujtoj sërish dispozitat ligjore, ne veprojnë me kallëzime. Po i referohem kodit të procedurës penale.

Është një dispozitë që nëpunësit publikë janë të detyruar të bëjnë kallëzim kur konstatojnë elementë të veprës penale. Në kompleksin e luftës kundër kriminalitetit nuk mund t’i kërkohet një strukture të vetme të bëjë gjithçka.

A janë deklaratat publike ndërhyrje në drejtësi? Nuk dua të komentoj se s’më takon mua. Jam zbatues i ligjit. Ne kemi një parim që të mos ndikohemi nga deklarimet publike. Ne duhet të vazhdojmë të shohim ato që kemi, provat dhe dosjet.

Ne vlerësojmë çdo opinion të partnerëve, kuvendit dhe njerëzve për të ndërtuar punën tonë. Askush nuk mund t’i thotë një prokurori që duhet të hetosh këtë apo atë çështje penale. Prioritete janë të lidhura edhe me ngarkesën, apo personat e arrestuar".

Pandeli Majko e ka pyetur kreun e Prokurorisë Speciale: “Si i ka çmuar SPAK nga kompetencat ligjore vendimet për shpalljen non-grata ndaj një zyrtari të lartë në kuadër të nenit 24/6 të kodit të procedurës penale. E vlerësoni këtë si një indicie apo shkak për proaktivitet?”

Kraja është përgjigjur duke thënë se është e ndaluar me ligj të japë opinion për institucione të tjera: “Kjo është pyetje që s’mund t’i jap përgjigje, e kemi të ndaluar me ligj të japim opinion për institucione të tjera, të brendshme apo të jashtme”.