Transmetuar më 21-05-2022, 08:15

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përforcoi dje në Tiranë projektin e Presidentit francez Macron për krijimin e një bashkësie gjeopolitike europiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së.

Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria si një vend i asociuar, do të thotë se vendi ynë do të jetë në tryezat e BE-së ku do të ketë vendimmarrje të rëndësishme, megjithëse jo një vend anëtar.

Konceptin e shpjegoi gjatë vizitës së djeshme në Tiranë Presidenti i Këshillit Europian të BE-së, Michel në krah të Kryeministrit Edi Rama.

Michel foli për idenë e anëtarit të asociuar të BE-së të hedhur nga Presidenti Macron, të cilën tha se e ka diskutuar dhe me Kryeministrin Rama për sa i përket Shqipërisë, ku shtoi se kanë rënë dakord që kjo nismë i hap rrugë një bashkëpunimi më të mirë bashkëpunimit mes Brukselit dhe Tiranës.

“E kemi diskutuar edhe me Kryeministrin sot një ide, një koncept që është shumë afër realizimit, ajo e ‘anëtarëve të asociuar’, pra kjo është një qasje e përafërt, një objektiv i përafërt që ne dëshirojmë të kemi formatet e duhura, në mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të njohim më mirë njëri tjetrin, të kuptojmë se cilat janë vështirësitë dhe si mund të kujdesemi me njëritjetrin”, theksoi z. Michel.

Vetë Kryeministri Rama u duk entuziast për idenë e “anëtarit të asociuar”.

Rama theksoi se për sa i takon Shqipërisë, vendi do të jetë më afër Europës, ndërsa kjo do të fashisë spekulimet se Bashkimi Europian po na refuzon rregullisht.

“Ideja e anëtarit të asociuar po merr më shumë mbështetje. Nuk e di kur do të materializohet, por e mbështes vizionin e Presidentit të Francës për këtë realitet të ri që vjen edhe si pasojë e asaj që po ndodh në Ukrainë, pra një komunitet i ri evropian, ku jo vetëm vendet anëtare por edhe vendet e tjera do të jenë të përfshira dhe sa na takon do të jemi më afër Bashkimit Europian.

Kur të vijë dita që të jemi anëtarë të asociuar të BE-së, kjo i jep fund spekulimeve paranojave dhe konspiracioneve se Bashkimi Europian po na mban larg dhe nuk do na fusë e se kështu e se ashtu”, theksoi Edi Rama.

Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin, Michel përsëriti qëndrimin pro integrimit të vendit tonë, ndërsa Rama foli për ndarje me Maqedoninë e Veriut, vetëm në rast se vijon pengu bullgar.

“Shqipëria duhet të kërkojë të ndahet nga Maqedonia e Veriut, jo të ndahet nga Maqedonia e Veriut, por të shkëputet nga kthetrat e Bullgarisë për të qenë më të saktë”, – deklaroi Rama.

Presidenti i KE-së e legjitimon kërkesën e Kryeministrit që kërkon një vlerësim të shkëputur nga Maqedonia, pas muajit qershor.

“Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. “Unë shpresoj ende me gjithë zemër që do të jemi në gjendje para fundit të qershorit që ta bëjmë këtë gjë. Natyrisht, nëse kjo nuk ndodh duhet ta rishohim situatën dhe pozita e Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur lidhur me këtë”, u shpreh z. Michel.