Transmetuar më 22-05-2022, 22:19

Sali Berisha shpallet kryetari i ri i Partisë Demokratike. Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve, ai fitoi bindshëm ndaj rivalit Ibsen Elezi.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike doli sonte në një konferencë për media, duke publikuar të dhënat, lidhur me votimin për kryetar të PD-së mes Berishës dhe Elezit, si dhe për ecurinë në tërësi të procesit zgjedhor.

Mbështetësit e ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe një grup i konsiderueshëm deputetësh demokratë kanë bojkotuar të gjithë procesin e “Rithemelimit” duke mos njohur as Kuvendin dhe as Statutin e ri të PD.

Sali Berisha ishte kryetar i Partisë Demokratike fillimisht në vitin 1991. Dha dorëheqjen dhe u bë President e më 1997 u rikthye si kryetar i PD, post që e mbajti deri më 2013. Pas 9 vitesh ai rikthehet në krye të PD.

Fati i forcës politike më të madhe opozitare të vendit, megjithatë i mbetet Gjykatës së Tiranës, ku procesi është shoqëruar me kontestime të shumta.

Berisha ka premtuar se do ta bashkojë PD dhe do ta çojë në fitore opozitën kundër Kryeministrit Edi Rama. /noa.al