Transmetuar më 23-05-2022, 11:46

Ndërkohë që në Kuvendin e Shqipërisë do të zhvillohet sot debati për miratimin e projektit të ri të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, u mbajt një protestë e shoqërisë civile. Një ndër zërat më autoritarë kundër dhënies me koncesion të kësaj pasurie kombëtare është arkeologu Apollon Baçe, i cili tha para gazetarëve:

“Nuk lejohet asnjë lek më tepër të futet në Butrint. Këto janë lekë që do të përdoren për disko, bare dhe restorante dhe 1/3 do ta paguajë populli. Nuk ka ndodhur ndonjëherë tjetër që një ligj të bëhet me porosi të një fondacioni të caktuar. Këtu do të kemi një përfitim që do t’i kalojë komplet fondacionit amerikan.

Nuk ka të bëjë shteti shqiptar, por nëpërmjet një Fondacioni, në krye të të cilit është një anti-shqiptar, plani është qesharak. Kjo do të kthehet në një qendër diskosh. Ato lekët që do të futen janë taman lekë për baret”.

Edhe kyedemokrati Sali Berisha tha se do ta ngrejë zërin kundër këtij projekti, duke theksuar se Rama s’mund të sillet me Butrintin si të ishte pronë e familjarëve të tij: "Mbrojtja e Butrintit është imperativ për çdo shqiptar. E garantoj Edi Ramën se s’do mundet të sillet me Butrinit sikur të ishte plaçkë e Kolekëve. Ajo është pronë e shqiptarëve, një nga pasuritë më të çmuara kombëtare.

Ata që kanë parashikuar shpërbërjen e parkut dhe kanë përdorur një plan menaxhimi për këtë qëllim, ata kanë kryer një akt korruptiv të pashembullt. Do përdor të gjithë zërin tim kundër këtij projekti, që është ndër më korruptivit në Shqipëri dhe Evropë, shkatërrimtar për një pasuri përrallore të kombit shqiptar”.

Nga ana tjetër, Aulon Kalaja, përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit u shpreh: “Para dy ditësh kemi krijuar aleancën për mbrojtjen e Butrintit dhe akoma pa zbardhur rezolutën, me të cilën vendosëm njëzëri që do t’ia drejtojmë Parlamentit, Ministrisë së Kulturës, UNESCO dhe institucioneve të tjera që veprojnë në Shqipëri, me shpejtësi shumë të madhe na telefonojnë dje dhe na thonë se kanë futur në rendin e ditës ligjin për Butrintin!

Po ndodh e njëjta gjë siç ka ndodhur me Teatrin Kombëtar. Për këtë arsye ne mendojmë se ky ligj nuk duhet të votohet dhe i bëjmë thirrje deputetëve që as denjuan të na takojnë, se i kemi votuar, marrin paratë nga taksat tona dhe nuk takojnë për të na dëgjuar.

Butrinti është një kauzë e arkeologëve, e historianëve, e qytetarëve dhe e gjithë shqiptarëve që duan historinë. Ne po veprojmë në dy nivele: niveli i parë është ai i tryezave të diskutimit dhe ne do të shkojmë këtë javë në Sarandë, takime me qytetarët pa dallime të majta a të djathta dhe pastaj do të shkojmë në Butrint me arkeologët, z. Neritan Ceka, z. Apollon Baçe; me z. Auron Tare jemi në kontakt, ka dërguar njerëzit e vet, pra kemi një aleancë fluide bashkë me Andi Tepelenën, prof. Edmond Budinën etj.

Hapi i dytë është që një grup prej shtatë avokatësh po e shqyrtojnë çështjen nga ana ligjore, se si do ta godasim nga ana ligjore në gjykatat shqiptare, deri në Kushtetuese si palë e legjitimuar. Ndërsa çështja tjetër, për të cilën po mbledhim edhe firma për ndonjë referendum të mundshëm, është se jemi në bisedime për të marrë rreth 50 mijë firma që të mos mbetet vetëm në arenën populiste, që t’u themi qytetarëve shqiptarë a jeni pro apo kundër".