Transmetuar më 23-05-2022, 22:06

Tiranë- Ngjarje e rëndë në Tiranë. Një punonjës policie ka mbetur i plagosur dhe vdiq më pas nga plumbat e lëshuara prej kolegut të tij.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Mine Peza, në komisariatin nr. 3, ku polici Ludian Zaimi, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi, i cili ndërroi jetë.

Policia tha zyrtarisht se rreth orës 21:20, në rrugën "Mine Peza", në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.