Transmetuar më 23-05-2022, 22:27

Tiranë – Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë u regjistrua mbrëmjen e sotme brenda mjediseve të Komisariatit të Policisë nr 3 në Tiranë.

Një sherr mes dy kolegëve ka precipituar në përdorimin e armës dhe për pasojë njëri prej tyre ka mbetur i vrarë.

Efektivi Ludian Ziami, 25 vjeç, qëlloi me armën e shërbimit inspektorin rreth 55-vjeçar Çaush Saliasi.

Ende nuk ka një version zyrtar mbi shkakun e sherrit, por mësohet se grindja ka ndodhur gjatë zhvillimit të instruktazhit të patrullës së përgjithshme.

Dyshimet e para janë se arsyeja e acarimit të të riut ishte se viktima e bullizonte prej kohësh.

Policia pranon se ngjarja ndodhi brenda në ambientet e komisariatit të Policisë Nr. 3.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Noa.al