Transmetuar më 24-05-2022, 00:01

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) tha sonte pak para mesnate se ajo nuk e ka kuptuar ende përse ndodhi vrasja mes policëve në Komisariatin nr 3 në qendër të Tiranës, raporton noa.al.

AMP tha se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Tiranës ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore për zbardhjen e ngjarjeve ku janë të përfshirë punonjës policie.

Pas ngjarjes, ku punonjësi i policisë Inspektor Ludian Zaimi, 25 vjeç, në rrethana ende të paqarta, ka plagosur me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, kolegun e tij, inspektor Çaush Saliasi, 55 vjeç, i cili pas dhënies së ndihmës së parë ka ndërruar jetë në spital.

Grupi i posaçëm hetimor nga AMP ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes. AMP thekson se krimi ka ndodhur në rrethana të paqarta.

Për ngjarjen e ndodhur në territorin juridiksional të Komisariatit të Policisë Nr. 6 (Kombinat) ku punonjësi i policisë Lutfi Gjyli, 48 vjeç, me detyrë trup shërbimi në Njësinë Operacionale të Ndërhyrjes së Shpejtë, në gjendje të dehur dhe për motive të dobëta ka plagosur me armë zjarri shtetasin Myrteza Lika, 64 vjeç, grupi i posaçëm hetimor është duke kryer të gjitha veprimet proceduriale me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Speciali i FNSH është i shoqëruar në ambjentet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore.

AMP thotë se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.