Transmetuar më 24-05-2022, 00:34

Rrjeti radioteleviziv shtetëror amerikan, Zëri i Amerikës që varet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka shmangur orët e fundit emërtimin Non Grata për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha duke e zëvendësuar ndryshe nga raportimet e tjera si person të papërshtatshëm për të udhëtuar në SHBA.

Në raportimin e djeshëm mbi zhvillimet në Shqipëri, Zëri i Amerikës e konsideroi Berishën si "të papërshtatshëm për të vizituar Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Në raportin e saj, VOA jep një pasqyrë të detajuar të zgjedhjeve në PD dhe informon mbi faktin se Sali Berisha u zgjodh me votat e mëse 43 mijë anëtarëve të PD.

Në vijim, VOA thotë se "Berisha dhe familja e tij, u shpallën nga Departamenti amerikan i Shtetit si persona të papërshtatshëm për të vizituar SHBA-të, për shkak të korrupsionit madhor dhe cënimit të demokracisë".

Më herët në raportime të tjera, VOA e citonte Berishën si person Non Gratta nga SHBA.