Transmetuar më 19-05-2022, 17:56

Grupi BALFIN ka qenë gjithnjë i frymëzuar nga modelet më të suksesshme Evropiane në të bërin biznes si dhe në vendosjen e standardeve më të larta të biznesit bazuar në këto modele.

ADN-ja e këtij Grupi buron nga zemra e Evropës Qendrore, atje ku u themelua nga Samir Mane, kur ai në moshë fare të re e nisi rrugëtimin e asaj që ne njohim sot si një ndër konglomeratat më të mëdha ndërkombëtare, pikërisht në Vjenë të Austrisë në vitin 1993.

BALFIN ka vazhduar të operojë me sukses prej vitesh në Austri, me kompaninë Alba Trade, e cila furnizon Ballkanin Perëndimor me teknologji, si dhe në sektorin e ndërtimit po në Vjenë.

Tashmë, portofolit të BALFIN i shtohet edhe Zvicra, një shtet, ku standardet dhe etika e të bërit biznes janë në nivelet e ekselencës.

Kompania Balfin Real Estate & Hospitality sapo ka hapur zyrën e përfaqësisë në Zyrih, duke shënuar një moment kyç në historinë e Grupit BALFIN. Ky zhvillim vjen si rrjedhojë e rritjes së vazhdueshme të projekteve të suksesshme në pasuritë e paluajtshme dhe turizëm.

Portofoli i gjerë dhe shumë interesant i projekteve ka bërë që të ketë një interesim gjithnjë në rritje edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Pas një vlerësimi të mirë-studiuar u pa e nevojshme që Balfin Real Estate & Hospitality të zgjerohej për të qenë më afër klientëve.

Përfaqësia në Zyrih do të ofrojë një gamë të plotë shërbimesh në fushën e pasurive të patundshme, duke filluar nga kërkimet, konsulenca në gjetjen e pronës së duhur, ofrimin e mbështetjes maksimale në menaxhimin e saj, shitjet, marrëveshjet e brokerimit, qira si dhe konsulencë pas shitjes.

Në këtë përfaqësi, tregu ndërkombëtar do të ketë mundësi të njihet me projektet më të rëndësishme të cilat po ndërtohen në zonat më ekskluzive dhe turistike të Shqipërisë si: Green Coast Village, Belvedere Korça, Porto Lalzi, apo Next To ValaMar.

Si fillim, është përzgjedhur një staf lokal i cili njeh kulturën vendase, përfaqësues i diasporës ku BALFIN kërkon të promovojmë projektet e tij.

Përfaqësia e BALFIN në Zyrih i paraprin planeve që kompania të shtrihet edhe në rajon me përfaqësitë e saj në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, gjithnjë sa i takon sektorit të pronave të patundshme dhe shërbimeve në sektorin e turizmit.

Me mbi 5.500 punonjës në shtetet ku operon, BALFIN ka vite që ndjek në arenën ndërkombëtare shembujt e organizatave më të mëdha të biznesit dhe jo vetëm, duke publikuar pasqyrat e tij të konsoliduara financiare çdo vit.

Grupi pritet që së shpejti të paraqesë edhe projekte të tjera në tregjet e Bashkimit Evropian.