Transmetuar më 24-05-2022, 09:34

Policia e Shtetit tha sot se ka arrestuar një burrë që e sheh si nxitës terrorizmi, aktesh lufte dhe përkrahje të ISIS. Personi i prangosur është Ibrahim El Salih (Lekica), raporton noa.al duke cituar burime nga Ministria e Brendshme.

Burri 56 vjeçar nga Kukësi akuzohet se ka postuar në rrjetet sociale, foto dhe shkrime nxitëse, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave terroriste kundër disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.

Identifikimi i 56 vjeçarit dhe vënia në pranga është bërë nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Zyrtarisht thuhet se këto organe bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.

Nga hetimet e kryera prej disa muajsh nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe SPAK-un, duke përdorur metodat proaktive, u bë i mundur identifikimi i personit që përdorte këto profile false, Ibrahim El Salih (Lekica).

Policia thotë se ky person është me prirje ekstremiste fetare dhe postonte në rrjetet sociale, shkrime të ndryshme në përkrahje të ISIS. Gjithashtu, i bënte thirrje qytetarëve, për përkrahje të luftës në Siri.

Në një vëzhgim të postimeve në rrjete sociale shihen shumë postimi ku dominojnë pjesë nga libri i shenjtë Kur’an-i. /noa.al