Transmetuar më 24-05-2022, 10:55

Me Çmimin e Madh të Formula 1 të Spanjës, i mbajtur në fundjavë në Montmeló Circuit (Barcelona), Sebastian Vettel ka luajtur në një kapitull kurioz, të denjë për një film. Herët në mëngjes, disa hajdutë i vodhën çantën e shpinës nga brenda makinës së tij. Piloti i “Aston Martin” nuk ka hezituar t’i ndjekë hajdutët hipur mbi një skuter elektrik.

Ndër sendet që ishin brenda çantës ishin disa AirPod që kanë teknologji GPS dhe që lejojnë gjurmimin e vendndodhjes së tyre në kohë reale. Sipas “La Vanguardia”, më 23 maj, rreth orës 8:00 të mëngjesit, gjermani ishte duke bërë një turne në Barcelonë me familjen e tij. Pikërisht kur ai ndaloi, i larguar për pak kohë nga automjeti, hajdutët shfrytëzuan rastin për t’ia hapur makinën dhe i morën çantën e shpinës, e cila dukej brenda.

Hajdutët u larguan, por Sebastian Vettel, duke ditur që kufjet e tij Apple AirPods ishin në çantën e vogël, ka zgjedhur t’i gjurmojë. Pikërisht këto gjëra të vogla janë të pajisura me sistem gjeolokimi, ndaj piloti gjerman i Formula 1 ka mundur t’i ndjekë hajdutët përmes iPhone të tij. Kështu, ai ka dalë në rrugët e Barcelonës në ndjekje të sinjalit, hipur mbi një skuter elektrik, që të evitonte trafikun.

Edhe pse e ka denoncuar ngjarjen me telefon, policia i ka kërkuar që ta denoncojë vjedhjen në komisariat dhe të heqë dorë nga përpjekjet për ta gjetur vetë çantën e shpinës. Mirëpo, Vettel ka vazhduar duke iu shpjeguar agjentëve se nuk i ndiqte hajdutët si polic, por shkoi mbas sinjalit GPS të kufjeve të celularit.

Në një moment grabitësit duhet të kenë vënë re se kufjet ishin brenda çantës së vjedhur dhe mund të gjeo-lokoheshin, ndaj i kanë hedhur brenda një vazoje me lule në një lokal në lagjen “Ciutat Vella”.

Në fakt është e vetmja gjë që është gjetur, pasi ende mungon çanta e shpinës, por edhe portofoli i pilotit me dokumentacionin e tij. Pra, nuk ka qenë një fundjavë e mirë në Barcelonë për katër herë kampionin e botës, pasi në Grand Prix-in e Spanjës ai ka mundur të sigurojë vetëm vendin e 11-të.