Transmetuar më 24-05-2022, 11:16

Të detyruara të martoheshin me kushërinjtë e tyre, të akuzuara në Pakistan për mashtrim, pas paraqitjes së kërkesës për divorc. Të torturuara dhe pushkatuara për vdekje.

Dy motra pakistanezo-spanjolle të moshës 21 dhe 24 vjeçe u vranë nga vjehërrit dhe anëtarët e tjerë të familjes në provincën lindore pakistaneze të Punjabit për shkak të kërkesës për divorc nga burrat e tyre, pas martesave të detyruara.

Aneesa dhe Arooj Abbas u rrahën dhe më pas u qëlluan e vranë në fshatin Nathia, në rrethin Gujrat.

Nuaman Hussain, një zëdhënës i policisë lokale, tha se të dyja motrat dhe nëna e tyre ishin kthyer nga Spanja më 19 maj.

Sipas tij, të rejat ishin martuar me kushërinjtë e tyre një vit më parë dhe tani dëshironin të divorcoheshin për t’u martuar me dëshirën e tyre në Evropë.

Policia shpjegoi se dy motrat dyshohet se u vranë për "nder", një praktikë brutale, ku një grua vritet për çnderim të familjes së saj.

Azra Bibi, nëna e viktimave, tha se ajo ishte mbajtur larg vendit të krimit. Megjithatë, ajo nuk ka bërë denoncim për vrasjen e vajzave të saj.

Policia ka hapur një rast për shtatë familjarë të viktimave dhe dy persona të tjerë, të gjithë të arratisur.

Vrasja e dy motrave ndodhi në të njëjtin lagje të Punjabit ku 26-vjeçarja italo-pakistaneze Sana Cheema u vra nga babai dhe vëllai i saj në vitin 2019.

E lindur në Pakistan dhe me banim në Brescia, Sana Cheema donte të martohej me një italiano- pakistanez, por familja e saj e kundërshtoi. Babai, vëllai dhe xhaxhai i Sanës u arrestuan në lidhje me vrasjen e saj, por më vonë gjykata e Gujrat i shpalli të pafajshëm për mungesë provash.

Çdo vit qindra gra vriten me akuzën e "çnderimit" në Pakistan. Në vitin 2021, në vendin aziatik u raportuan mbi 400 raste të "vrasjeve për nder".