Transmetuar më 24-05-2022, 11:34

Greqi- Pak ditë më parë dy turiste amerikane denoncuan një restorant në Mykonos të Greqisë, pasi i bëri ato që të paguanin 600 euro për dy kokteje dhe dy këmbë gaforreje.

Brenda Moulton dhe vajza 19-vjeçare, Kaylea, po kërkonin të kalonin një ditë të bukur në plazhin Platys Gialos, por nga ana tjetër përjetuan edhe ankthin e kostos së frikshme për një drekë.

Nëna dhe vajza refuzuan të paguanin pasi e cilësuan mashtrim faturën.

Kjo për shkak se stafi i restorantit ku drekuan u tha atyre se nuk do të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse refuzonin të paguanin faturën e shtrenjtë.

“U thashë atyre se dy mojito dhe dy këmbë gaforre nuk bëjnë dot 600 euro. Nuk do të të paguaj. Më pas më thanë ‘do të telefonojmë policinë’. Sipas tyre, policia do na mbante në Greqi dhe nuk do të ktheheshim në vendlindje”, i tha gruaja gazetës To Proto Thema, për incidentin e ndodhur më 13 maj.

Në faturë që ishte përmbledhëse, kishte dy zëra, në njërin shuma e konsumuar prej 520 eurosh dhe zëri tjetër, 78 euro bakshish i vendosur në faturë.

Nëna dhe vajza, më pas nxituan që të paguanin faturën. Pasi ato dolën nga restoranti, nëna u tha kalimtarëve që të mos hynin aty, në mënyrë që të shmangnin çmimet e larta.

“Bosi i restorantit doli i tërbuar dhe na u afrua duke folur me ton kërcënues. Menjëherë ngrita zërin, i bërtita”, tha Moulton.

Brenda dhe Kaylea thanë se kishin mbetur aq të shqetësuara saqë qëndruan në restorant me dy amerikanë të tjerë, të cilët i qetësuan derisa arritën të largoheshin. Një makth që ende u ka lënë kujtime të këqia gjatë udhëtimit në Greqi.