Transmetuar më 24-05-2022, 11:46

Nesër është finalja e “Conference League”. Tirana do të jetë kryeqendra e futbollit europian, teksa 440 vende do të ndjekin përmes televizorit përballjen ms Romës dhe Feynoord-it. Dihen tashmë masat që janë marrë, me ndalimin e qarkullimit në kryeqytetin shqiptar ditën e nesërme, teksa skena do të jetë për dy tifozëritë dhe futbolldashësit, që kanë siguruar biletë për në “Arena Kombëtare”.

Këtë të martë është bërë ekspozimi i trofeut në qendër të Tiranës, ku kanë marrë pjesë Lorik Cana, ambaasador i kompeticionit nga UEFA, Armand Duka, kreu i FSHF dhe Erion Veliaj, kryebashkiaku i kryeqytetit. Në fjalën e tij, Duka u shpreh: “Sot është një ditë e veçantë, ditë e bukur për ne, për mua, për Erionin, për Lorikun, që prezantojmë për herë të parë trofeun e parë të Conference League.

Është një ditë e veçantë për Tiranën, pasi e pret këtë trofe historik për herë të parë në Tiranë. Urojmë që me sjelljen tonë t’i bëjmë të huajt të vijnë përsëri në Tiranë. Sot është një ditë e bukur gjithashtu për futbollin shqiptar që pas një pune voluminoze arriti një objektiv madhor, të ketë një trofe të rëndësishëm, një aktivitet të rëndësishëm. Uroj që të gjithë bashkë, holandezë, italianë, kombësi të tjera, ne shqiptarët mikpritës, ta shijojmë këtë aktivitet, ta shijojmë këtë finale dhe mos jetë i fundit për ne shqiptarët”.

Lorik Cana tha se emocioniet janë të mëdha dhe dominon kënaqësia: "Kënaqësi kur vendi yt është një organizator i këtij kompeticioni. Për të treguar një vend të ngrohtë dhe futbolldashës, që i pret në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe, ky kompeticion i ri do të ketë një nisje me këmbë të mbarë.

A do të doja të isha në fushë? Patjetër, çdo futbollist ka dëshirë të luajë një finale europiane. Unë kam mbërritur deri në çerekfinale, e shihnin si një kpompeticion të tretë, por është i jashtëzakonshëm dhe në finale janë dy skuadra të mëdha. U mërzita që nuk kaloj Marseille sepse do të prisja tifozët këtu. Duke qenë lacial nuk bëj dot tifoz për Romën, por duke pasur Marashin aty brenda.

Këshillë për Kumbullën? Nuk kam luajtur finale europiane, por finale kam luajtur. Ka qenë finalja e fundit kundër Romës me Lacion dhe kemi fituar, është një djalë me shumë potencial. Ka fatin që shumë herët ka shkuar në një klub të madh dhe nëse do të ketë minuta të luajë me qetësi, do të ketë tifozët e vet dhe i uroj më të mirën.

Ndeshjet me Romën? Sfida me Romën ndjehet shumë, unë kam qenë para dhjetë viteve në finale kundër tyre me Lacion. 26 maj 2013, ishte në finale e Kupës së Italisë dhe unë kam qenë në fushë dhe e kemi fituar dhe aty kemi treguar që qyteti është i lacialëve. Shumë prej tyre e kanë për herë të parë në Shqipëri, duhet të flasin mirë për mikpritjen e vendit tonë dhe finalja të kaloj sa më mirë dhe të jetë një pikënisje për Shqipërinë.

Himni i Romës i jashtëzakonshëm? Fakti që vijnë dy tifozeri të mëdha tregon rëndësinë e ndeshjes, mbetet në histori se është e para. Kemi çfarë të tregojmë dhe krenohemi duke shpresuar që njerëzit të kënaqen".

Veliaj, që u takua për herë të parë me presidentin e FSHF, pas luftës së ashpër mes tyre në zgjedhjet e fundit të futbollit shqiptar, nënvizoi masat e marra nga instuitucioni që drejton për mbarëvajtjen e gjithçkaje sa më mirë: “Është një shprehje e famshme, që kupat me kalimin e kohës i zë pluhuri. Por kujtimet mbeten përgjithmonë. Ndaj qëllimi i organizimit në Tiranë bashkë me federatën, bashkë me yjet e futbollit shqiptar, është që kujtimet t’i kemi përgjithmonë pavarësisht se ku përfundon kupa.

Ndaj do t’ju kërkoj të gjithëve që të jemi mikpritës, të jemi të qeshur, të jemi aty për t’i orientuar ata që ndoshta humbasin rrugën. Qyteti është përfshirë nga një valë e jashtëzakonshme organizimesh. Ashtu siç kemi rënë dakord me federatën, kjo do të jetë fanzone neutrale dhe për të gjithë ata që ndoshta nuk janë pjesë e një tifozërie të organizuar ne do të jemi këtu në sheshin “Skënderbej”.

Ndërkohë, po përgatitet në minutat e fundit e gjithë fun zone e Roterdamit që do të jetë tek pedonalja. Ndërkohë për gjithë tifozët e Romës do të jetë liqeni i Tiranës, një hapësirë tek amfiteatri dhe i garantojmë edhe ata që nuk kanë bileta por që kanë marrë mundimin të vijnë nga Roma dhe Roterdami, ne do vazhdojmë aty me ekranet, me aktivitetet që kushdo që ka ardhur në Tiranë të kënaqet e të kalojë mirë”.