Transmetuar më 26-05-2022, 11:12

Tiranë- Dy gazetare të njohura shqiptare, Beti Njuma dhe Dalina Buzi janë kunata. ndoshta shumë pak veta e dinin.

Ato kanë vite në media dhe në televizion, por asnjëherë nuk i kemi parë bashkë.

Ishte Beti që tha në një intervistë se vëllai i saj është i martuar me Dalinën.

Mbrëmjen e djeshme Beti ishte e ftuar në “Goca dhe Gra” ku Dalina është bashkë prezantuese. Dy kunatat kanë realizuar edhe një intervistë ku u janë përgjigjur disa pyetjeve për të zbuluar më shumë mbi marrëdhënien e tyre.

Ndonëse pranuan se nuk kanë grindje e debate, Beti kujtoi: “Një herë mbaj mend i kam kërkuar të heqi një lajm, nuk e hoqi Dalina i futa mik vëllain. Sepse më tregoi parimet profesionale, por kemi edhe parime familjare”.

Të pyetur nëse kanë përfituar ndonjëherë duke përdorur emrin e njëra-tjetrës ato e mohuan këtë gjë. Sa i përket faktit që nuk kanë ardhur me asnjë projekt të përbashkët, Dalina tha: “Diskutuam një herë për një projekt por nuk u bë. Kam qenë te pjesa e filmit dhe showbizit, kurse Beti te lajmet, reportazhet. Mua të tëra më janë bërë në jetë, por secila ka kohën e vetë”.

Më tej në pyetësor ato treguan se nuk i bëjnë dhurata njëra-tjetrës përveç vitit të parë që Dalina u njoh me vëllanë e Betit kur i kishte blerë kësaj të fundit një orë.

“Rëndësi ka që Dalina mua më respekton mamanë. I çon lule çdo 8 Mars, këtë vit edhe mua më solli lule, por unë nuk i kam çuar asnjëherë”, tha Njuma.

Ndërkohë të pyetura për mendimin e parë për njëra-tjetrën, Beti tha : “Gjithmonë kam menduar se cila mund të ishte gruaja e vëllait tim, por asnjëherë s’e prisja që do ishte më e zonja se unë. Dalina është vërtetë shumë e zonja.E kam njohur para se të bëheshim kunata se punonte në Top Channel dhe e kam ndjekur para se të vija unë në Top Channel. Thosha: “WOW sa e zonja”. E ndiqja gjithmonë dhe më pëlqente shumë”.

Nga ana tjetër Dalina u shpreh: “Burri im ka fizionomi të ndryshme nga Beti dhe duket si nga ata ‘të fortët’. Dhe ti ke disa kushte në fillim, por kur e mora vesh që ishte vëllai i Betit, ajo i dha pikë atij. Sepse thashë pale çfarë familje ka, por jo. Beti ka patur gjithmonë një imazh të mirë dhe shumë korrekte. Nuk ka pretenduar kurrë të luaj me famën e saj”.