Transmetuar më 27-05-2022, 21:17

Nën ndikimin e situatës së ndërlikuar dhe të rëndë ndërkombëtare dhe epidemisë së COVID-19, treguesit kryesorë të ekonomisë së Kinës kanë pasur rënie në muajin prill.

Disa media perëndimore parashikojnë se do të jetë shumë e vështirë për Kinën të arrijë objektivin e rritjes ekonomike të këtij viti, por disa ekspertë besojnë se ekonomia kineze është shumë elastike, ritmet e mëkëmbjes së zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit janë të shpejta dhe qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për stabilizimin e rritjes. Bazat për ecurinë e mirë të ekonomisë kineze nuk kanë ndryshuar.

Studiuesi i Institutit për Studimet Politike, Ekonomike dhe Shoqërore të Italisë, Fabio Massimo Parenti, shprehet se: “Edhe pse ka pasur vështirësi, zhvillimi i përgjithshëm ekonomik i Kinës është përmirësuar për një kohë të gjatë dhe ka një shkallë të caktuar elasticiteti. Të dhënat e zhvillimit të industrive të teknologjisë së lartë dhe sektorit të shërbimit janë të mira, dhe në të njëjtën kohë, tregtia ndërkombëtare vazhdon të rritet”.

Profesori i asociuar i historisë i Universitetit Kombëtar të Kievit, Volodymyr Urusov, thotë: “Kina ka një sistem shumë të plotë mbarëindustrial dhe kapacitet të fortë furnizimi në sektorin e prodhimit. Edhe pse epidemia ka ndikuar negativisht në funksionimin e ekonomisë kineze, në përgjithësi ajo ka ruajtur një prirje të qëndrueshme pozitive në perspektivë afatgjatë.”

Pak ditë më parë, Këshilli i Shtetit i Kinës shpalli një paketë të re masash për stabilizimin e ekonomisë, duke përfshirë 33 pika në 6 sektorë, si politikat fiskale dhe të lidhura me to, politikat financiare, stabilizimin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit, nxitjen e konsumit dhe investimeve efektive, sigurinë energjetike dhe garantimin e jetesës bazë të njerëzve, në përpjekje për ta kthyer ekonominë në normalitet dhe për të siguruar që funksionimi i saj të jetë brenda një intervali të arsyeshëm.

Marsela Musabelliu është drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit. Ajo vuri në dukje: “Qeveria kineze ka ndërmarrë shumë hapa, duke ofruar mbështetje të fortë për rimëkëmbjen ekonomike, duke mbështetur tregun e brendshëm përmes politikave të favorshme tatimore dhe rritjes së vazhdueshme të investimeve. Konsumi pritet të mbajë vrullin e tij të rimëkëmbjes pasi ndikimi i COVID-19 të vihet gradualisht nën kontroll. Siguria e vendeve të punës do të mbetet një prioritet i lartë dhe do të zbatohen më shumë politika fiskale për të subvencionuar bizneset e vogla, do të përforcohen mbështetje të shumta politikash, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e financimit, për të ndihmuar kompanitë e vogla dhe të mesme të kapërcejnë vështirësitë. Banka qendrore do të vazhdojë të reduktojë kostot e financimit dhe do të rrisë mbështetjen financiare për ekonominë reale”.

Ndërsa Fabio Massimo Parenti u shpreh: “Për të arritur një mëkëmbje të plotë në një periudhë afatshkurtër, është e nevojshme të përshpejtohet zbatimi i politikave makroekonomike që qeveria kineze ka filluar të zbatojë dhe të merren masa të tilla si ulja e taksave, rifinancimi i korporatave dhe mbështetja për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”.

Përveç kësaj, Kina ka përshpejtuar edhe ndërtimin e një tregu të madh kombëtar të integruar, duke shmangur mbrojtjen lokale e segmentimin e tregut dhe duke promovuar fluksin e lirshëm të faktorëve dhe burimeve të mallrave në një shkallë më të madhe.

Ish-drejtori për çështjet europiane dhe ndërkombëtare i shtetit Hessen të Gjermanisë, Michael Borchmann vuri në dukje: “Presidenti i Forumit Botëror Ekonomik ka përmendur kontributin gjigant të ekonomisë kineze për ekonominë botërore. Ky kontribut do të vazhdojë, sepse Kina me siguri do të mposhtë vështirësitë e tanishme. Jam i mendimit që bota e sotme ka nevojë më urgjente se kurrë për Kinën si fuqi e madhe ekonomike.