Transmetuar më 30-05-2022, 23:10

Gjigandi shtetëror rus i energjisë Gazprom konfirmoi të hënën se do të ndërpresë furnizimin me gaz natyror për firmën holandeze të tregtimit të gazit GasTerra duke filluar nga e marta, 31 maj. GasTerra mbulon me gaz pjesën më të madhe të nevojave në Holandë.

“Gazprom Export ka njoftuar GasTerra-n për pezullimin e furnizimit me gaz nga 31 maj 2022 derisa pagesa të bëhet në përputhje me procedurën e përcaktuar me Dekretin e përdorimit të rublës si monedhë transaksionesh”,- thuhet në një deklaratë, duke iu referuar dekretit të presidentit rus Vladimir Putin ku thuhet se pagesat për gazin duhet të bëhen në rubla.

Të hënën, kompania daneze e energjisë Ørsted dhe firma holandeze e tregtimit të gazit GasTerra paralajmëruan Rusinë që mund të mbyllte rubinetët nga e marta e sotme sepse kishin refuzuar të bënin pagesa në rubla – vetëm disa javë pasi Moska bëri të njëjtën gjë me Poloninë, Bullgarinë dhe Finlandën.