Transmetuar më 08-06-2022, 07:22

Të gjithë e parafytyrojnë me flokë të gjata kaçurrele. Madje me flamur dhe duke bërë Shqiponjën. Ballist morina u kthye në personazh si tifoz shqiptar në ndeshjet e kombëtares.

Por tashmë ballist Morina ka ndryshuar ‘look’.Nuk i ka flokët e gjata dhe kaçurrela me të cilat jemi mësuar që ta dallonim nga të tjerët. Me një pamje të re dhe të kuruar, ai ka dhënë një intervistë për “A Show”.

Po kush është i riu nga Kukësi?

Ballist Morina, emri i vërtetë i të cilit është Ismail Morina është u bë i njohur pasi ngriti dronin me simbolet etnike në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ai bëri bujë në mediat ndërkombëtare me gjestin e tij të ngritjes së flamurit.

Ishte duke u luajtur ndeshja Serbi-Shqipëri kur në minutën e 41 të saj, Ballist Morina i fshehur në majë të stadiumit “Ylli i Kuq” lëshoi dronin me flamurin pro-shqiptar, duke bërë që lojtarët serbë të tensionohen dhe ta ulnin. Por si kundërpërgjigje, lojtarët shqiptarë nuk i lanë, duke nisur përplasje mes tyre.

Si reagim për këtë dhunë të ushtruar nga lojtarët dhe tifozët serbë, UEFA vendosi ta shpërblejë kombëtaren shqiptare duke i dhënë fitoren me rezultatin 0-3 në tavolinë dhe duke i hapur rrugë në kualifikimin e saj në Euro 2016. Për këtë ngjarje u realizua edhe klipi "Kuq e Zi je ti" nga Elvana Gjata dhe Flori Mumajesi, duke shfaqur Ballist Morinën në fillim të klipit dhe duke përmbledhur çaste nga ndeshjet e kombëtares shqiptare dhe pamje nga Shqipëria.