Transmetuar më 09-06-2022, 07:52

Tiranë- Valuta kryesore Euro pësoi një tjetër rënie në kursin e këmbimit me Lekun ditën e mërkurë dhe preku një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 119.9 Lekë,.

Agjentët besojnë se në zhvlerësimin e Euros në kursin e këmbimit me Lekun ka filluar të ketë një ndikim të konsiderueshëm faktori sezonal. Nisja e sezonit veror shoqërohet me rritje të numrit të turistëve dhe me shtim të flukseve valutore hyrëse në ekonominë shqiptare. Kjo zakonisht shkakton një zhvendosje në ulje të kursit të këmbimit Euro-Lek gjatë muajve të verës.

Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë viteve të fundit efekti sezonal është zgjatur në kohë, duke filluar më herët, në periudhën maj-qershor dhe duke u zgjatur deri në muajin shtator. Megjithatë, ky efekt kulmon mes fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, kur fluksi i turistëve arrin kulmin dhe bashkë me të, edhe oferta e Euros në tregun valutor vendas.

Mbështetur në këtë logjikë, është e arsyeshme të pritet që kursi i Euros me Lekun të prekë rekorde të reja në rënie gjatë kësaj vere.

Kriza e çmimeve në tregjet globale dhe inflacioni më i lartë në më shumë se 20 vjet krijuan mes ekspertëve një pritshmëri se ndoshta leku mund të zhvlerësohej disi në kursin e këmbimit me Euron. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, madje qysh prej fundit të vitit të kaluar pozitat e lekut u forcuan më tej.