Transmetuar më 12-06-2022, 21:45

Historia që vjen sot në “Ka Një Mesazh Për Ty” është unike dhe një demonstrim i mirënjohjes e mirësisë. Ingriti ka ardhur në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan për të surprizuar prindërit e tij, por jo ata biologjikë, sepse ata janë pjesë e idesë. Veç prindërve që e kanë lindur, ai ka edhe dy palë të tjerë, pra 6 prindër që ia kanë mbushur dhe ndryshuar jetën. Por se si mund të kesh 6 prindër, këtë e zbulon në rrëfimin e tij.

Ingrit: Historia që unë do tregoj sot ka të bëjë me studimet dhe jetën time në Amerikë. Unë si shumica, e kam filluar jetën me dy prindër dhe gjatë rrugës kam fituar edhe dy palë prindër të tjerë.

Ardit Gjebrea: Si? Se edhe unë dua.

Ingrit: Kur unë isha student, në gjimnaz në fakt, u bëra pjesë e një programi shkëmbimi kulturor. Bashkë me disa studentë të tjerë shqiptarë shkuam në Shtetet e Bashkuara për një periudhë shumë të shkurtër ku njohëm shumë njerëz. Një nga organizatoret e këtij projekti ishte një vullnetare e Korpusit të Paqes, një amerikane që punonte në Shqipëri. Unë u njoha me prindërit e saj vetëm për dy ditë pasi kishim plane të tjera.

Pasi unë shkova në shkollë të lartë, u bëra pjesë e një programi tjetër që i lejonte studentët nga vende të Europës që gjatë muajve të verës të shkonin në Amerikë, të bënin punë të ndryshme. Ideja ime ishte të shkoja, të punoja dhe të mbuloja pjesën e mbetur të shpenzimeve të shkollës. Dhe unë iu drejtova Emit, organizatores së atij projekti të para dy vitesh në gjimnaz dhe i thashë “mund të më gjesh një punë gjatë verës sepse unë nuk njoh asnjë në Amerikë?” dhe ajo brenda disa orësh u përgjigj, më tha “po, mund të vish, të punosh te biznesi i prindërve të mi” dhe aty merr zanafillë historia.

Kur unë shkoj në aeroport, më presin me tabelë Emi me prindërit e saj që thonë “Mirë se vjen!” në shqip. Kishin bërë kërkime në internet që unë të ndjehesha sa më rehat. Në çdo cep të shtëpisë kishte copëza të shkruara në shqip.

Ardit Gjebrea: Emi sa vjeç ishte?

Ingrit: Emi ishte rreth të 30-ave.

Ardit Gjebrea: Ah se mendova se mos ishte më e vogël dhe ishee dashuruar me ty.

Ingrit: Jo, Emi është motra ime më e madhe. Dhe e vetme. Nga dita e parë nuk isha thjesht një person që do rrinte në shtëpinë e tyre dhe do punoja. Na dukej sikur njiheshim prej vitesh, kuptoheshim shumë mirë me njëri tjetrin, më prezantuan me pjesën e mbetur të familjes, gjyshin dhe gjyshen, shumë të afërt, më merrnin në udhëtime të familjes së tyre, në festa.

Ardit Gjebrea: Ti u bëre pjesë e familjes së tyre?

Ingrit: Pa e kuptuar.

Të pyetur nga Ardit Gjebrea se çfarë ndikimi kishte Ingridi ata u përgjigjën:

Xhek: Ai më ka ndihmuar ta shikoj botën me sy tjetër.

Laurie: Është shumë i zgjuar dhe më ka qëndruar pranë kur më ndërroi jetë babai.

Stejsi: Është shumë vetëmohues. Gjithmonë jep, qofshin ato këshilla, një dorë për të të ndihmuar. Na ka treguar shumë gjëra për mënyrën e tij të jetesës, vlerat e tij të familjes dhe kemi mësuar shumë nga ai, si të jemi njerëz më të mirë. Po, është një njeri i bukur dhe kjo për shkak të familjes së tij të bukur, prindërve të tij të mrekullueshëm, Gëzimin, Donën.

Tim: Do doja të mendoja që unë i dhashë disa cilësi të mira, por ai është aq perfekt. Ai më ka mësuar

Mesazhi i Ingridit për ata:

Ingrit: Ajo që unë dua t’ju them sot, do jetë në gjuhën shqipe jo thjesht sepse siç tha edhe Arditi, ju po dëgjoni përkthimin në kufje në anglisht, por ku ka më bukur se sa këtë mesazh ta jap sot tek ju në gjuhën shqipe, në Shqipëri, kur jeni të gjashtë bashkë. Ju dua, në shqip tingëllon shumë bukur. Unë ju dua shumë, shumë. E dyta, ju ma keni ndryshuar jetën time për mirë me thjeshtësinë tuaj dhe unë iu jam shumë mirënjohës dhe falënderues për këtë.

Unë kurrë nuk e dija që një ditë jo thjesht mund të diplomohesha në Shtetet e Bashkuara dhe të ndërtoja një jetë të re atje, unë nuk e dija që me mbarimin e shkollës nuk do merrja thjesht një diplomë, por do merrja edhe dy palë prindër të tjerë, shumë vëllezër dhe motra, gjyshër dhe gjyshe e të afërm të tjerë. Mesazhi që unë të përcjell tek ju dhe te njerëz të tjerë, është që për të ndryshuar botën, për t’i ndryshuar qoftë edhe një personi tjetër jetën për mirë, për t’u ndjerë mirë edhe vetë, nuk duhen shumë manovra, shumë para, nuk duhen shumë materiale, mjafton të kesh një zemër të mirë, një buzëqeshje të ëmbël dhe një përqafim të ngrohtë siç e keni ju dhe për këtë ju jam shumë mirënjohës