Transmetuar më 18-06-2022, 22:00

Alban Skënderaj është një nga këngëtarët dhe producentët më të dashur ndër shqiptarë.

Alban Skënderaj ka ruajtur gjithmonë një imazh shumë të pëlqyer nga audienca të të gjitha moshave prej vitesh.

Në ‘A Live Night’ ai ka treguar një histori nga fëmijëria e tij. Një hap në dukje ‘i çmendur’, por që një producent të tillë e kemi falë guximit që ai tregoi.

"Historia ime është aq sa e zakonshme për shqiptarët aq edhe shumë interesante ndoshta për dikë që nuk e njeh Shqipërinë. Unë ika pa lejen e prindërve, jetonim në Vlorë dhe ika pa mbushur 15 vjeç me një shokun tim. Vajtëm të shikonim çfarë ndodhte, në atë periudhë ishin trazirat e ’97-ës dhe donim të shikonim çfarë ndodhte me anijen me kuriozitetin e një adoleshenti të papërgjegjshëm dhe të papjekur. Aty anijet ishin super plot ,njerëzit kishin ditë që ishin brenda dhe donin të iknin. Unë nuk mendoja kurrë që do kisha shans të hipja, sepse ajo ishte marrë nga shumë njerëz të rrezikshëm me armë. Ndodhi që një shok i vëllait tim më tha "Je vëllai i Martinit? Po, hajde mund të hipësh." Aty kam përshtypjen ishte momenti kulmor i jetës time, pasi ndryshimi që mori jeta ime në ato momente është shumë i madh. Unë nuk do isha sot ky që jam nëse nuk do kisha bërë atë hap. Rruga ka qenë e sikletshme, për pak rashë në det, u prish anija, filloi të merrte ujë, një histori e jashtëzakonshme, pastaj na shpëtuan anijet italiane. Dy-tre javë nuk kam pasur kontakt me familjen. Unë isha 2-3 orë larg vëllezërve që jetonin në Itali, ndërkohë që ata ishin 8-9 orë larg më kërkonin, ndërkohë unë isha shumë afër tyre. Një ditë pasi u nis anija ku isha unë, u nis dhe anija e Otrantos që u mbyt dhe nuk e dinin a isha në atë anije. Dikush i kishte thënë që isha në atë anije. Pastaj kam ndejtur një muaj në kamp me shqiptarët me lloj-lloj natyra njerëzish. Ishin vitet kur shqiptarët kishin nevojë të emancipoheshin. Kur mendoj sot, them që kam qenë i fortë, them që jam i fortë dhe ndonjëherë kur përkëdhelem dhe merrem me dobësitë e mia emocionale, i kujtoj vetes ca momente shumë intensive dhe më ndihmon shumë. Pastaj pata fatin që të lidhesha me familjen pas një kohe të gjatë, me vëllezërit dhe pastaj historia ime nga ai moment vazhdoi me vështirësi të tjera, por gjithmonë me këmbëngulje dhe me besim. Më duhej të punoja që 15-16 vjeç. Kam bërë shumë punë, nuk kam qenë shumë punëtor në kuptimin fizik, kam qenë i brishtë , meditativ. Kur punoja mendoja shumë, nuk kisha atë fokusin e një punëtori të devotshëm. Isha ëndërrimtar. Kam bërë shumë punë, nga kamarier, parkues makinash, kam punuar në pastiçeri, bare, në hotel, fabrika mobiljesh. Shumë lloje punësh, por ndërkohë dhe jam munduar të kultivoj pasionin për muzikën, të dal me miqtë, të blej një motor, të blija rrobat e mia, mundohesha fort edhe pse isha pa prindërit. Kjo disi më ka ndihmuar që të mos humbasim kontaktin me artin. Italia më dha pasionin e madh për artin, u njoha me muzikantë, me muzikën italiane, sidomos në koncertet e mëdha ku kurseja për të blerë një biletë e cila ishte e shtrenjtë për mua. Kurset mundohesha ti paguaja vetë, kur e mendoj sot për një fëmijë të asaj moshe jam shumë krenar."