Transmetuar më 21-06-2022, 10:07

Samuel Eto’o pranoi fajësinë për mashtrim fiskal së bashku me ish-përfaqësuesin e tij, José Maria Mesalles, duke u dënuar përkatësisht me 22 muaj dhe një vit burgim. Ish-sulmuesi që fitoi Ligën e Kampionëve me Interin thuhet se ka shmangur 3.872.621 euro nga Thesari Spanjoll midis viteve 2006 dhe 2009, ndërsa luante për Barcelonën.

Këtë e raporton "Marca". Në deklaratën e bërë në Gjykatën Penale numër 11 në Barcelonë, Eto’o e pranoi këtë mashtrim, por duke akuzuar, pa e përmendur drejtpërdrejt, Mesalles, i përcaktuar prej kohësh nga lojtari si "baba i dytë".

Eto’o, në fakt ka ngritur një padi kundër ish-përfaqësuesit të tij për krime të dyshuara të mashtrimit dhe përvetësimit në menaxhimin e pasurive të tij, një çështje ende në fazën paraprake. “I njoh faktet dhe gjithçka do të dëmshpërblehet, por asokohe isha fëmijë dhe gjithmonë bëja atë që më kërkonte përfaqësuesi im”.

Mesalles, nga ana tjetër, nuk ka dëshmuar, për t’i pranuar ose mohuar faktet. I akuzuari i tretë, Jesùs Lastre, drejtor i një kompanie të përdorur në mënyrë instrumentale për mashtrim, u shpall i pafajshëm.

Prokuroria kishte kërkuar 4 vite e 6 muaj burg për Eto’o dhe Mesalles. Në fund, gjykata vendosi 22 muaj burg për kamerunasin, autor i katër krimeve kundër thesarit publik, dhe një vit burg për ish-agjentin e tij si bashkëpunëtor i ngushtë në evazionin fiskal.

Eto’o u dënua gjithashtu me katër gjoba, nga një për çdo shkelje, në shumën prej 1.810.310 euro, ish-përfaqësuesi i tij me katër gjoba të tjera për një vlerë totale prej 905.155 euro. Të dyja dënimet do të kovertohen me gjobë, pasi të dy nuk kanë precedentë penalë. Ato janë zbutur nga Prokuroria Publike, sepse të dy i kanë pranuar faktet.

Siç u përmend, faktet datojnë në periudhën midis viteve 2006 dhe 2009, kur Eto’o mori të ardhura të konsiderueshme nga transferimi i të drejtave të tij të imazhit te "Puma" dhe Barcelona. Ish-futbollisti nuk i ka deklaruar ato në deklaratën e tij tatimore si të ardhura nga kapitali i luajtshëm (i tatueshëm).

Eto’o kërkoi që të drejtat t’i transferoheshin një kompanie të drejtuar nga Mesalles, ku honoraret tatoheshin me një normë shumë më të ulët se norma e tatimit mbi të ardhurat personale.