Transmetuar më 21-06-2022, 13:45

Aksioni i vetëm që do të ndodhë në Kupën e Botës do të jetë në fushë…, sepse autoritetet lokale thuhet se po zbatojnë një ndalim të rreptë të seksit për tifozët beqarë në Katar, gjatë zhvillimit të Botërorit të këtij viti (nëntor-dhjetor).

Vendi konservator arab ku seksi paramartesor është i paligjshëm ka vendosur të jetë i tillë edhe për të gjithë spektatorët që planifikojnë ta ndjekin nga afër eventin masiv global. Zyrtarët thonë që, nëse nuk je i martuar, nuk mundesh ta bësh atë… si ata në “Discovery Channel”.

Paralajmërimi është publik, i qartë dhe i prerë: Çdo shkelës i rregullave në fjalë mund të përballet me një ndëshkim të rëndë nëse kapet “me presh në duar”. Sipas raportimit të “Daily Star”, tifozët mund të përballen deri me 7 vite burg nëse nuk i rezitojnë dot tundimit të madh. Pra, flitet për beqarët, jo të martuarit. Për këta të fundit seksi nuk është i ndaluar, nëse kryhet brenda çiftit (kurorës).

“Seksi është jashtë menysë sonë për Botërorin, përveç nëse vini si ekip, burrë e grua, – tha një burim policor për gazetën britanike. – Padyshim që nuk do të ketë tribuna për një natë në këtë turne. Në Kupën e Botës së këtij viti është në thelb ndalimi i seksit për herë të parë ndonjëherë. Tifozët duhet të përgatiten për këtë".

Burimi thotë gjithashtu se nuk do të ketë shumë festa, gjithashtu alkooli është i ndaluar. Kësisoji, mos u habitni nëse një ton bileta do të hyjnë në faqet e rishitjes së shpejti për ato tifozë që nuk mund të “agjërojnë” kaq gjatë në këtë drejtim, sa zgjat Botërori, ose sa kanë planifikuar të qëndrojnë në Katar. E thënë ndryshe, nuk do të jetë Botërori i harbimit, por sidomos jo i beqarëve.