Transmetuar më 22-06-2022, 10:45

Florian Marku, boksieri shqiptar është duke u ngjitur në kategorinë e peshës së lehtë. Herën e fundit likuidoi ish-kampionin britanik Chris Jenkins në vetëm katër raunde, për të marrë rripin e “IBF International”. Ai tani është në kërkim të "cilitdo kundërshtar, që do të më sjellë më shpejt një titull botëror".

“Nuk më intereson cilin do të më vendosin përballë, – tha Marku për “Sky Sport”. – Ne luftojmë çdo ditë, stërvitemi çdo ditë, për ne është si të pimë kafe. Mund të luftoj kundër kujtdo që të më sjellin si rival. Sigurisht që ka emra të mirë në kategorinë e peshës së lehtë. Këdo që të më sjellin, unë do të luftoj".

Një objektiv tërheqës për të do të ishte Chris Kongo, luftëtar emocionues i cili në fillim të këtij muaji mundi Sebastian Formella, pretendentin gjerman që ka luftuar me Conor Benn dhe Shawn Porter më parë:

"Nëse më paguajnë mirë, sigurisht do të luftoja me Kongo. Jo një nga një, nëse paratë janë të lakmueshme, lë t’i sjellin edhe dy nga dy. Nuk më intereson. Nuk më intereson vërtet. Unë dua të siguroj të ardhmen e familjes, dua të bëhem kampion bote.

Conor Benn po bën shumë mirë, e kam parë në luftime të shkëlqyera. Sigurisht që do të doja të luftoja me të, por ai do të më shmangë. Sidoqoftë, le të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja.

Jam i kënaqur me rezultatet e mia. Jam i ri në këtë sport, ju e dini se kam qenë një kikboksier. Boksi është pak më ndryshe, por unë jam duke u përmirësuar shumë, kam shumë më tepër për t’iu treguar njerëzve".

Ai është afër realizimit të një ëndrre fëmijërie. Marku dëshiron të boksojë në stadiumin kombëtar të Shqipërisë. Ekipi i tij po punon për ta bërë këtë gjë realitet.

"Në Shqipëri, ndoshta në fund të gushtit, do të ishte diçka e madhe. Kjo ishte ëndrra ime që kur isha fëmijë. Do të jenë rreth 26.000 njerëz atje, mezi po pres. Nëse kjo ndodh, do të jetë e pabesueshme. Shqiptarët do të jenë atje”.

Ish-kampioni i botës dhe eksperti i boksit, Barry Jones, vlerëson Florian Markun: “Në fillim të karrierës, mendoj se darkonte me forcën e tij fizike. Sidoqoftë, kam parë një ndryshim, veçanërisht në tri meçet e fundit të Markut. Tani po përdor trurin pak më shumë se forcën. Mund të boksojë më mirë se sa mendonim dhe ndoshta i jepte vetes merita.

Natyrisht, forca fizike është ajo që e bën boksierin që është, por fakti që po fillon të përdorë më shumë trurin e ka bërë një luftëtar më të mirë. Kjo ishte e dukshme kundër Chris Jenkins, i cili është një boksier i mirë, me të vërtetë rival i ndërlikuar dhe i vështirë. Marku ishte në gjendje ta reduktonte diferencën në mënyrë mjaft efektive dhe padyshim që goditjet e nokautit ishin fantastike”.