Transmetuar më 22-06-2022, 14:07

Tani është zyrtare! Bayern Munich bën goditjen e madhe në merkato. Sadio Mané ka nënshkruar me gjigantët bavarezë deri në vitin 2025. 120 gola në 269 ndeshje me “Reds”, një Champions i fituar, dy finale të humbura të këtij kompeticioni, një Premier League, një titull golashënuesi më i mirë i Premier League dhe shumë trofe e çmime të tjera.

Pas 6 vitesh dashuri, historia mes Sadio Mané dhe Liverpool-it përfundon. Senegalezi është lojtari më i ri i Bayern Munich, i cili zyrtarizoi transferimin mëngjesin e sotëm. Kontratë deri në vitin 2025 për 30-vjeçarin, i cili u pagua rreth 30 milionë euro, plus 9 bonuse te klubi nga “Anfield”.

Mané ndodhet në Bavari që dje, ku kaloi ekzaminimet mjekësore në fillim, pastaj nënshkroi kontratën me klubin e tij të ri. Ai është gati për të filluar një aventurë të re.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu, – janë fjalët e tij të para si lojtar i Bayernit. – Ndjeva një interes të madh nga klubi. Kur isha te Salzburg, i ndiqja shumë shpesh ndeshjet e Bayernit. Tani dua të fitoj gjithçka me këtë klub, edhe në Evropë”.

Pasdite është planifikuar prezantimi në “Allianz Arena”, ku sigurisht do të marrë pjesë edhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic, ‘arkitekt’ i operacionit të merkatos.

“Me Mané po blejmë një yll të nivelit të lartë ndërkombëtar, i cili tashmë ka lënë gjurmë në botën e futbollit. Jemi krenarë që e sollëm në Mynih. Që në minutën e parë ai deklaroi se donte të luante për këtë klub. Dhe është një përshtatje e përsosur në idetë e Julian Nagelsmann", – tha Hasan Salihamidzic.