Transmetuar më 23-06-2022, 10:25

Massimiliano Allegri ka denoncuar dhe do të dërgojë në gjykatë ish-partneren Claudia Ughi, e akuzuar nga trajneri i Juventusit për përvetësim dhe shkelje të detyrimeve familjare.

Më konkretisht, gruaja i ka shfrytëzuar paratë e paguara nga Allegri, të destinuara për djalin 11-vjeçar të të dyve, për vete dhe për të paguar tarifat e universitetit të së bijës.

Sipas asaj që del nga hetimi, mbi 200 mijë euro shpenzime të panevojshme (jo për atë që dedikoheshin) janë konstatuar nga 600 mijë eurot që Ughi kishte marrë pas përfundimit të marrëdhënies me ish-trajnerin e Milanit.

Më 5 korrik, Claudia Ughi, e mbrojtur nga avokati Davide Steccanella duhet të paraqitet në Pallatin e Drejtësisë "Bruno Caccia" në Torino për seancën paraprake.

Natyrisht që mbrojtja hedh poshtë çdo akuzë, ndërkohë që dosja ka përfunduar në tryezën e prokurorit Davide Pretti, i cili pas padisë ka koordinuar hetimet me "Guardia di Finanza".

Marrëdhënia mes Allegrit, i përfaqësuar nga avokati Pietro Gaetano Nacci Manara, dhe Ughi zgjati 13 vite, deri më 2017. Të dy kishin arritur një marrëveshje në gjykatën civile të Torinos, ku trajneri i Juventusit mori përsipër të paguante 10 mijë euro në muaj si detyrim për rritjen e fëmijës.

Më 2021, duke qenë se nuk ishte ulur në asnjë stol prej dy vitesh, Allegri kishte kërkuar uljen e shifrës në 5 mijë euro. Kërkesa u refuzua, prandaj u kundërpërgjigj me padi kundër Ughit.