Transmetuar më 23-06-2022, 11:12

Zinedine Zidane ka dhënë një intervistë të gjatë për “L’Equipe”, me rastin e 50-vjetorit të tij të lindjes. Është ndalur në shumë “stacione” të karriëerës, më së shumti të mira, por edhe te “njolla” e madhe, me të cilën e mbylli karrierën në kombëtaren francize, goditjen me kokë të Materazzi në finale e Botërorit 2006.

Nëse priste të fitonte Champions League pasi u emërua trajner në janar: “Jo. Sepse kur bëj diçka, e bëj për të fituar. Unë jam fitues, pa pretendime. Unë jetoj për të fituar. Nëse jo, nuk e bëj dramë. Ju nuk fitoni gjithmonë, por unë bëj çmos për të fituar. Kur fitoj nuk habitem, sepse kam dhënë gjithçka. Unë kam punuar shumë. Dhe kur punoni, keni të drejtë të shpërbleheni.

Kur ke dhënë gjithçka, kur ke bërë gjithçka, fitorja është po aq e bukur edhe me penallti, sa ishte kundër Atlético Madridit në finalen e parë, siç ishte në 3-1 kundër Juventusit më 2017 ose 4-1 kundër Liverpool-it në vitin 2018. Shpërblimi vjen nga puna.

Dhe kjo do të thotë që ju e meritoni. Edhe në fitoren ndaj Juves, pjesa e dytë ishte e jashtëzakonshme. Kundër Liverpool-it, ne vinim nga një kampionat i vështirë (të 3-tët, pas Barcelonës dhe Atlético Madridit), por kjo ishte apoteoza kundër tyre. Ky sukses tregoi burimet e një ekipi, një klubi, një grupi që gjithmonë ka refuzuar të dorëzohet”.

Një pyetje disi provokuese: Çfarë do të mendonte Zidane i vitit 1998 për Zidane aktual: “Se ai është bërë thjesht një njeri tjetër. Rreth 25 vjeç ke ende dyshime të vogla. A po i bëjmë gjërat siç duhet? A mund të bëjmë më mirë? Unë isha i tillë. Shpesh kanë dashur që të më qetësojnë, duke më thënë: Është mirë kjo që bën.

Sot kam gjithë atë besim, atë siguri që vjen nga çfarë kam ndërtuar. Por në thelb jam ende i njëjti, – sqaron Zidane, duke shuar edhe kureshtjen e pseudonimit të tij "Murgu" në Spanjë: "Sepse gazetarët e kuptuan se nuk kishin shumë për të raportuar për mua. Kur mbërrita në Madrid në vitin 2001, kisha njerëz në krahun tim gjatë gjithë kohës për 100 ditë.

Më ndiqnin vazhdimisht, nga mëngjesi në mbrëmje dhe nga nata në mëngjes për më shumë se tre muaj. Shtypi, gjatë gjithë kohës. Jeta ime nuk ishte e dobishme për ta.. Nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në të. Kjo eshte jeta ime. Unë kam qenë gjithmonë i qetë, familjar dhe i përkushtuar vetëm te futbolli”.

Një shpjegim edhe për goditjen me kokë të Materazzi në finalen e Botërorit 2006: “Atë ditë, nëna ime ishte shumë e lodhur. E kam marrë motrën në telefon disa herë gjatë ditës për ta pyetur. E dija që nëna ime nuk ishte mirë, por gjendja shëndetësore nuk ishte as serioze. Isha i fokusuar te loja, por gjithçka lindi papritur. Presioni ishte i madh, provokimi dhe ofendimi po ashtu.

Ai (Materazzi) nuk më shau nga nëna. Materazzi e ka thënë shpesh se nuk e ka fyer nënën time. Kjo është e vërtetë, por ai ofendoi motrën time, e cila ishte me nënën time në atë kohë. Në fushë tashmë kishte fyerje, të gjithë futbollistët flasin me njëri-tjetrin, ndonjëherë keq, por ju nuk bëni asgjë. Atë ditë ndodhi ajo që ndodhi.

Ai provokoi keq, ofendoi motrën time Lila. Ishte vetëm një sekondë dhe mendja më iku… Nuk jam krenar për këtë, por është pjesë e karrierës sime. Në atë kohë isha më i brishtë. Ndodh ndonjëherë, në kësi momentesh, kur mund të bësh diçka që nuk është në rregull…

Kjo është karriera ime, historia e jetës sime. Ashtu si dy golat e mi në finalen e vitit 1998. Prandaj them se historia me kombëtaren franceze nuk ka përfunduar për mua. Nuk dua të përfundojë kështu, nuk ka mbaruar (nënkupton uljen në stolin e Francës si trajner)”.