Transmetuar më 23-06-2022, 11:58

Pasi ia ndërprenë fjalën në parlament, kryetari I Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë jashtë, para gazetarëve, dhe ka bërë një denoncim të fortë për kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla:

“Parlamenti është shndërruar në dyqanin e Lindës. E trajton si dyqanin e vet me urdhër të Edi Ramës. Dola këtu për të denoncuar publikisht lidhjet e mëdha dhe të tmerrshme të Taulant Begos me Gentian Sharrën, njërin prej anëtarëve më të rrezikshëm të Bandës së Elbasanit.

Mes Taulant Begos dhe Sharrës ekzistojnë të paktën 50 telefonata dhe qindra kilometra zbardhje të gjata të këtyre bisedave. Biseda që e faktojnë Taulant Begon si anëtar të inkriminuar të bandës së famshme të Elbasanit.

Taulant Bego ka marrë përsipër, ka dhënë porosi nga më të paligjshmet dhe ka kryer detyra nga më të paligjshmet në interes të Gentian Sharrës.

Pra, Gentian Sharra është njeriu që ka blerë vota për anëtarin kriminel të bandës së Elbasanit, që quhet Taulant Bego. Për PS-në dhe atë.

Ju bëj thirrje që të publikoni çdo regjistrim, çdo dokument, i cili implikon apo njëson Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij me bandën e Elbasanit. Bëhet fjalë për biseda, për ngjarje të shumta. Po fole me bandat, flet vetëm për krimet, nuk flet për dashuri. Ta keni të qartë këtë”.