Transmetuar më 23-06-2022, 12:26

Ka kaluar saktësisht një muaj nga finishi i kampionatit italian, me polemika, por kjo ende nuk është arkivuar plotësisht. Këtu përfshihen edhe provokimet. Provokimi i Zlatan Ibrahimovic ndaj Hakan Calhanoglu sigurisht që nuk ka kaluar pa u vënë re. Me rastin e festimeve publike të titullit të Milanit, suedezi i kishte dërguar një mesazh mesfushorit turk, ish-bashkëlojtarit të tij.

"Dërgoni një mesazh Hakanit! Nuk po ju dëgjoj, dërgojini një mesazh Hakanit", – iu drejtua suedezi mbështetësve të shumtë kuqezinj, në delir për triumfin pas 11 vitesh pritjeje. Përgjigja e Calhanoglu erdhi pas një muaji dhe iu besua mikrofonave të “Tivibu Spor”, një media turke:

"Ai është 40 vjeç, nuk do të kisha bërë të njëjtën gjë në moshën e tij. Nuk mund të sillet si 18 vjeç. Atij i pëlqen të tërheqë vëmendjen, jeton për këtë tani. Ibra nuk ka dhënë asnjë kontribut këtë sezon në titullin e Milanit, ai praktikisht nuk ka luajtur kurrë.

Mua nuk më intereson, gjithsesi, por nuk është e drejtë nga një person që më thërriste gjithmonë kur isha duke luajtur te Milani për të shkuar në darkë ose për të shkuar në një udhëtim me motor së bashku. Ai shkroi për mua në librin e tij, por i duhej, përndryshe libri do të kishte qenë bosh”.

Calhanoglu flet për veten në 360 gradë, në fund të një sezoni të gjatë: “Ishte vërtet sezon impenjues, luajtëm pa ndalesë. Liga e Kampionëve, kampionati, ishte edhe kombëtarja. Mendoj se kritikohem ashpër herë pas here, por e jetoj gjithçka brenda vetes.

Kam një përgjegjësi të madhe mbi supe. Ata që më njohin mirë e dinë se çfarë kam kaluar, prandaj jam gati për të gjitha kritikat, përpiqem të mos i dëgjoj. Duhet pak kohë, jam emocional, por nuk e tregoj këtë”.

Calhanoglu ka folur edhe për transferimin e tij nga Milani tek Interi, një moment shumë i veçantë: “Ishte e vështirë; i njëjti qytet-ngjyra të ndryshme. E dija që do të shkoja në ekipin kampion italian, ishte shansi im. Më pas titulli shkoi te ish-skuadra ime dhe njerëzit sugjeruan se ishte faji im.

Ne humbëm një derbi. Kush i bëri ndryshimet në minutën e 75-të, pasi unë dhe Perisic u zëvendësuam? Trajneri kontribuoi në atë disfatë, ia kam thënë. Ai është njeri i mirë, e kupton futbollin, është shumë afër ekipit. Inzaghi më donte shumë dhe këmbëngulja e tij ishte gjithashtu e rëndësishme të transferosha tek Interi”.

Lidhur me këto deklarata të fundit, Calhanoglu i ka besuar Interit një sqarim zyrtar: "Natyrisht, disa nga fjalët e mia janë keqinterpretuar nga disa media. Unë kurrë nuk kam kritikuar asnjë trajner, e lëre më trajnerin Inzaghi që e konsideroj një trajner të madh dhe që më donte shumë tek Interi e më dha kaq shumë besim. Nëse shokët e mi të skuadrës dhe unë kemi bërë një sezon të mrekullueshëm, kemi fituar edhe dy trofe, e gjitha kjo është falë tij”.