Transmetuar më 24-06-2022, 10:11

Arsene Wenger u rrit në Duttlenheim, Alsace, disa kilometra larg kufirit franko-gjerman. Një fshat i vogël ku Arsen i ri u rrit me dy obsesione: futbollin dhe fenë. Ish-trajneri i Arsenalit, i cili tani është bërë kreu i zhvillimit të futbollit botëror në FIFA, foli për programin e BBC4, "Desert Island Discs".

Përveçse bëri një listë të rekordeve në trajning, ai shpjegoi gjithashtu ndikimin e fëmijërisë së tij në mënyrën e stërvitjes së Arsenalit, ku qëndroi 22 vite radhazi. E nisi nga feja, e cila dominonte totalisht jetën e fshatit të tij.

Ai mësoi diçka që e mbajti me vete gjatë gjithë karrierës së tij: të mos kënaqej: "Ndikimi në karrierën time i kësaj situate është se kurrë nuk isha plotësisht i kënaqur me atë që bëja, sepse më dukej se nuk bëja kurrë mjaftueshëm.

Ishte feja që më bënte gjithmonë të ndihesha pak në faj, feja katolike funksionon kështu. Ndonjëherë edhe kam gënjyer në kishë, nuk mbaja mend gjithmonë gjithçka që kisha bërë gabim".

Megjithatë, rezultatet e ekipeve të tij flasin për të. Dhe vetëm duke mos u kënaqur me fitimin e Premier League, lojtarët e tij tek Arsenali janë bërë "të pathyeshmit".

Ai kishte një fëmijëri të veçantë, pasi zoti Alphonse dhe zonja Louise, prindërit e Wengerit, posedonin një biznes që linte shumë pak hapësirë për t’u kujdesur për familjen:

"Unë nuk e këshilloj askënd të hapë një bistro nëse ka fëmijë. Në atë kohë nuk kishte jetë familjare, ne ishim vetëm çdo ditë të vitit".

Nga ana tjetër, Wenger kishte çdo shans për të menduar ekskluzivisht për futbollin. Si lojtar ai nuk arriti shumë, por si trajner shkoi mjaft mirë. Dhe tani ndoshta mund të rrëfejë ndonjë mëkat të vogël…