Transmetuar më 24-06-2022, 12:22

Opozita thotë se ka një plan konkret për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti dhe premton se do ta bëjë këtë më 7 korrik 2022 në kuadrin e një proteste të fuqishme kombëtare ku do të shpallet edhe Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë.

Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, në një konferencë shtypi sot në mesditë, tha se plani është që protesta e 7 korrikut të shërbejë si pikënisje për të mos u ndalur deri në realizimin e qëllimit, largimin e Ramës nga pushteti.

Se kush do të jetë kjo protestë, këtë do ta përcaktojë vetë protesta. Kjo lëvizje është një front për shpëtimin e Shqipërisë. Unë jam i gatshëm edhe të udhëheq edhe të më udhëheqin, tha kryetari i PD, Sali Berisha.

Ai ftoi të gjithë të gjithë shqiptarët që bashkohen në protestën e paralajmëruar që do të mbahet më 7 korrik.

Në një prononcim për mediat para Kuvendit, Berisha siguroi se kjo protestë është nisja e një lëvizjeje që do të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

"Sirenat e alarmit për Shqipërinë në rrezik po bien në të katër anët e vendit. Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga interesi i tyre kombëtar, tek shëndeti, vendi i punës, xhepat e tyre, ndjejnë se janë në rrezik të madh, ndjejnë një gjë të tillë duhet të kenë çdo kusht t’i dalin zot vetes, të marrin në dorë fatin e tyre dhe të fëmijëve të tyre", tha Berisha.

Ai lajmëroi se më 7 korrik ora 7 e mbrëmjes, do të ketë një pjesëmarrje kaq të madhe sa nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri.

Protesta do të nisë lara Parlamentit për të vijuar në shesh, bulevard dhe para kryeministrisë. /noa.al