Transmetuar më 24-06-2022, 14:17

Në Sofie, parlamenti bullgar votoi sot për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, duke hapur kështu rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për vendin fqinjë dhe Shqipërinë.

Tani është radha e Bashkimit Evropian që të vendosë nëse do të pranojë të çelë negociatat me Maqedoninë dhe Shqipërinë për anëtarësim në Union.

Presidenti Ilir Meta tha se më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit.

"Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona", tha Meta ndërsa shtoi se ishte në "pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende".

Sakaq Kryeministri Edi Rama u shpreh se Bashkimi Europian duhet tani të veprojë shpejt, pas vendimit të parlamentit bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, në procesin e çeljes së negociatave.

Rama vlerësoi rolin përcaktues në këtë vendim të Boyko Borissov, ndërsa tha se “partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së”.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, tha Rama.

Parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut.