Transmetuar më 27-06-2022, 00:47

Kabinat telefonike dikur ishin kudo në qytetin e Nju Jorkut, në cep të pothuajse çdo blloku ndërtimi. Por këto ditë, ato janë zhdukur. Ndërsa në Shqipëri nuk ekzistojnë më prej vitesh.

Duke shënuar fundin e një epoke, kabina e fundit njujorkeze tani është e ekspozuar në Muzeun e Qytetit të Nju Jorkut. Ajo u hoq nga Time Square me vinç pas një ceremonie të mbajtur nga bashkia, raporton noa.al duke cituar Smithsonian Magasine.

"Kabina ishte vendosur në qendër të Manhattan, Midtown, dhe përfaqësonte mishërimin e kabinës telefonike me përdorim të gjatë," tha Lily Tuttle, drejtore e Muzeut të Qytetit të Nju Jorkut.

Në fillim të vitit 2000, kishte 30,000 kabina telefonike dhe u deshën shtatë vjet për t’i hequr ato.

Muzeu vendosi kabinën telefonike në ekspozitën e titulluar "Qyteti analog" së bashku me objekte si makina shkrimi, dollapë skedarësh, etj. Muzeu eksploron se si këto "teknologji para-dixhitale" ishin novatore për kohën e tyre dhe si e ndihmuan qytetin të lulëzonte.

Kabina telefonike

Historia e kabinës telefonike daton në vitin 1889, kur e para në botë, e shpikur nga William Grey dhe e ndërtuar nga George A. Long, u instalua në Hartford, Connecticut, SHBA. Deri në vitin 1902, 81,000 kabina telefonike ishin në funksion në të gjithë vendin. Në vitin 1995 ato arritën kulmin e tyre, duke arritur në 2.6 milionë.

Por çfarë ishte ajo që çoi në “zhdukjen” e tyre?

Arsyeja e telefonisë celulare është ndoshta arsyeja kryesore – por nuk është e vetmja.

Në vitin 1967, Gjykata e Lartë vendosi që autoritetet e zbatimit të ligjit nuk mund të përgjonin bisedat nga kabinat telefonike pa një urdhër kontrolli, gjë që i bëri ato veçanërisht tërheqëse për kriminelët që nuk donin që telefonatat e tyre të zbuloheshin.

Kështu, kabinat u lidhën në mënyrë të pashmangshme me aktivitete kriminale, me rezultatin që autoritetet e shumë qyteteve të ushtronin presion mbi autoritetet për t’i hequr ato.

Nju Jorku po zëvendëson tani kabinat telefonike me kioska të dedikuara LinkNYC, ku njerëzit mund të bëjnë telefonata falas, të lidhen me Wi-Fi, të karikojnë pajisjet e tyre dhe të kenë akses në hartat e qytetit.

Rreth 1800 kioska LinkNYC operojnë në Manhattan. /noa.al