Transmetuar më 01-07-2022, 07:39

Durrës- Një lajm mjaft i gëzuar vjen këto ditë nga Durrësi, dhe ndodh pikërisht në pikun e sezonit turistik. Një gërmim arkeologjik shqiptaro-francez në Forumin Bizantin të Durrësit ka nxjerrë një gjetje magjepsëse, që besohet të jetë një statujë bronzi e perëndeshës Artemis.

Zbulimi u bë nga një ekip arkeologësh francezë dhe shqiptarë këtë javë.

“Objekti ka nevojë për pastrim, trajtim dhe konservim, por është e qartë se kemi të bëjmë me një personazh femër. Për sa i përket tipareve dhe veshjeve, ajo mund të jetë perëndeshë Artemis, e cila lidhet me shenjtëroren e famshme të Durrësit, për të cilën ka projekte studimore në vazhdim”, tha për Euronews arkeologia franceze Catherine Abadie Reynal.

Kishte dy gjetje të tjera magjepsëse në vend, të zbuluara ditët e fundit.

“Kemi arritur të kapim nivelet e periudhës romake, më konkretisht janë dy shtresa banimi të shekullit II dhe III të erës sonë. Të dyja banesat u shkatërruan si pasojë e zjarreve masive dhe shihen qartë gjurmët e djegieve që kanë shkatërruar banesat. Të trembur nga flakët, banorët nuk mund të merrnin me vete objektet e përdorimit të përditshëm”, tha Reynal.

Gërmimet rifilluan së fundmi pas dy vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë COVID-19. Fillimisht filloi në vitin 2012 dhe synon të kuptojë më mirë historinë e Durrësit të lashtë.

Forumi ishte qendra historike e qytetit antik të Dyrrhachium-it dhe dikur kishte një treg, por ndoshta edhe një statujë në qendër me aktivitete të tjera të mbajtura brenda tij. Konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të monumenteve romake të vonë dhe bizantine të hershme në vend dhe i ngjan fort forumit të lakuar të Konstandinit në Kostandinopojë, i cili fatkeqësisht u shkatërrua në 1204.