Transmetuar më 03-07-2022, 16:30

Kosovë- Një ngjarje ndodhi mbrëmjen e kaluar ku mbetën të plagosur dy policë në Skënderaj.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), konfirmon se deri më tani nuk ka asnjë polic të dyshuar për plagosjen e dy efektivëve, duke hedhur poshtë versionin e dhënë nga ish-zyrtari Nuredi Lushtaku, i cili deklaroi se ishte polici ai që qëlloi kolegun e tij.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të hetimeve janë njoftuar lidhur me këtë incident. Pas njoftimit të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes ku ka qenë edhe prokurori kujdestar. Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar ju njoftojmë së në këtë fazë hetimet lidhur me këtë incident do t’i vazhdojë Policia e Kosovës (pas që në bazë të veprimeve hetimore dhe pas konsultimeve me prokurorin kujdestar në këtë rast, deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka ndonjë zyrtar policor të dyshuar)”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Gazetës Express.

Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur. Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me vendosjen e një gjobe.