Transmetuar më 04-07-2022, 23:53

Autoritetet shtetërore të zbatimit të ligjit në Greqi, dështuan të informojnë qartë dhe saktë për atë që ndodhi në Athinë ju tre shqiptarë mbetën të vrarë dhe dy policë u plagosën lehtë. Noa.al citon mediat qendrore greke të analizojnë raportet e policisë dhe qeverisë të cilat hodhën informacion të pasaktë duke konfuzuar publikun. Zyrtarët policorë dhe ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve deklaruan se ishin dy ngjarje të ndryshme me grabitje të dhunshme që rezultuan të paqena.

Sot është zbardhur dinamika e asaj ngjarjeje të tmerrshme që ndodhi të shtunën në mbrëmje dhe që po komentohet shumë si paaftësi e shtetit grek për të siguruar klimë të qetë jete për banorët.

Viktimat janë Andon Dhimitraq Tefi 48 vjeç, nga Korça, Armando Lamaj, 46 vjeç, nga Vlora dhe Jani T., 23 vjeç, shtetas shqiptarë, emigrantë në Greqi.

Gjithçka nisi pak pas orës 21:30 të së shtunës, në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou, në Kato Patisia të Athinës, kur shpërtheu një sherr mes shtatë personave me origjinë shqiptare, mes tyre një grua.

Dyshimet janë se ishin dy grupe shqiptarësh ku njëra palë demonstroi bindjen se pala tjetër kishte bërë kurth dhe spiunllëk te policia greke për një aferë trafiku lëndësh narkotike.

Kjo situatë precipitoi në një konflikt të përgjakshëm të armatosur me tre shqiptarë të vdekur dhe tre të plagosur, mes të cilëve edhe dy efektivë të policisë së Skuadrës së Veprimit të Menjëhershëm.

Papritur, një Mercedes Benz me një burrë 48 vjeç në timon dhe një pasagjere 43 vieçare, janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të një motoçiklete duke plagosur rëndë një djalë të ri 23 vjeç që e drejtonte.

Pas motorit ndodhej me makinë tip Audi, babai i djalit që u plagos për vdekje. Ai gjendej bashkë me një person tjetër. Babai i është afruar makinës Benz që hapi zjarr dhe ka qëlluar autorin e plagosjes së të birit, 46 vjeç, duke e lënë të vrarë.

Në këtë moment, pasagjeri i Audi-t, i cili tentoi të vraponte për t’u mbrojtur nga plumbat që po qëlloheshin, u godit dhe u plagos nga një makinë që po kalonte.

Në të njëjtën kohë, pasagjeri i Benz Mercedesit, i cili më parë kishte hapur zjarr, u largua nga makina.

Menjëherë pas kësaj, ai ndaloi një makinë që po ecte aty dhe, nën kërcënimin e armës, mori mjetin e tij, një Toyota Yaris e zezë, dhe u largua drejt zonës Agioi Anargyrou.

Në këtë kohë ka nisur veprimi policor. Një skuadër forcash të ndërhyrjes së shpejtë nisi të ndiqte burrin që mori arratinë me Toyota Yaris. Ndjekja përfundoi shpejt dhe ai u gjet në Dimokratis Avenue, zona Agioi Anargyrou.

Para se të kapej, sipas dëshmitarëve okularë, shqiptari i armatosur, 48 vjeçar, i nxehur tej mase, ka hyrë në një pikë karburanti në rrugën Dimokratis, në Agioi Anargyrou dhe ka nisur t’u kërkojë punëtorëve të largohen. Aty nuk ka ndodhur asgjë tjetër.

Më pas ai është zhvendosur në një kafe-bar ngjitur dhe ka marrë 20 euro nga klientë kë një tavolinë. Duke dalë sërish në rrugë, i ka bërë shenjë makinës së patrullës policore që të ndalojë, pasi dyshohet se ishte nën efektin e drogës, ndaj mendoi se ishte një taksi.

Patrulla ndaloi dhe u përpoq ta kontrollojë të dyshuarin, i cili ka tentuar të ikë në këmbë kur ka kuptuar se nuk ishte taksi. Makina e patrullës e ka ndjekur. Më pas, burri ka qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë, duke plagosur njërin në këmbë, ndërsa i dyti ka marrë një plumb mbi shpatull. Ky ishte momenti që policët hapën zjarr duke e vrarë emigrantin shqiptar.

Ndjekja policore u shtri edhe më tej duke u arrestuar edhe drejtuesja e Benz Mercedesit, 43 vjeçe.

Të tre shqiptarët e vdekur ishin të njohur për policinë si persona me precedentë penalë në çështjet e drogës. Siç rezultoi gjatë verifikimit të informacionit të tyre, dy prej tyre, ishin arrestuar majin e kaluar nga punonjës policie të Drejtorisë së Sigurimit të Atikës Verilindore për trafik droge.

Shqiptari me trup të bëshëm dhe këmishën e verdhë që përfundoi i vdekur në shkëmbimin e të shtënave me policinë në Agioi Anargyros ishte pasagjeri 48 vjeçar i Benz Mercedesit ki ndodhej 43-vjeçarja nga Shqipëria.

Të tre armët e gjetura pas kontrolleve në vendin e përleshjes janë dërguar për ekspertizë balistike në laboratorët e kriminalistikës së Policisë.

Komunikimi zyrtar policor

Hetimet paraprake për shkaqet e sulmit të armatosur dhe zhvillimin e ngjarjes po kryhen nga Departamenti i Vrasjeve në Drejtorinë e Sigurisë Atikë.

Në një komunikatë zyrtare që lëshoi polici greke dhe noa.al jua sjell më poshtë, thuhet se mbrëmjen e djeshme në zonën e Patisias, një shqiptar 48-vjeçar duke drejtuar një makinë, me pasagjere një shqiptare 43-vjeçare, ka qëlluar mbi një grup shqiptarësh, duke qëlluar njërin prej tyre (23-vjeç).

Më pas, 43 vjeçarja hipi në timon dhe, duke drejtuar mjetin, ka tërhequr zvarrë 23-vjeçarin.

Sakaq, 48-vjeçari është arratisur në këmbë dhe nën kërcënimin e armës, i ka marrë një makinë një personi që ndali në rrugë dhe është nisur drejt zonës së Açarnit.

Më pas, ai ka hyrë në një dyqan të kujdesit shëndetësor dhe i ka marrë me armë pronarit një shumë parash. Duke dalë nga dyqani, ai është pikasur nga oficerët e policisë së urgjencës, të cilët kanë tentuar ta kontrollojnë.

48-vjeçari ka qëlluar drejt policëve duke plagosur njërin në gjoks dhe këmbë dhe të dytin në këmbë. Në këtë kuadër, policia i është kundërpërgjigjur zjarrit duke e plagosur për vdekje.

Deri tani janë sekuestruar dy pistoleta, 3 vetura dhe një motoçikletë. Pesë persona janë arrestuar dhe po merren në pyetje. /noa.al

Terrorizuan Athinën! Këta janë dy kundërshtarët që mbetën të vrarë. (Foto, emrat)