Transmetuar më 06-07-2022, 16:44

Në kulmin e rritjes së çmimeve, teksa mbarë shqiptarët po përjetojnë shtrenjtim të produkteve dhe shërbimeve, e për rrjedhojë, ulje të cilësisë së jetës dhe pasiguri për të ardhmen, qeveria, me dalje të njëpasnjëshme publike, trumbetoi sot përmes ministrave se po rrit me 6 për qind, pagat e punonjësve të arsimit dhe shëndetësisë

Redaksionale NOA.al

Në kushtet kur qeveria është e prirur të konsiderojë sukses vendimin e sotëm për shtesë 6% në pagat e arsimit dhe shëndetësisë, shumë qytetarë e përballin atë me një realitet krejt tjetër:

Që nga shtatori 2021, në Shqipëri nisi një valë e paparë prej vitesh, e rritjes së çmimeve. Për këtë shërbeu bujarisht deklarata e kryeministrit Edi Rama se në Evropë po bëhej nami me energjinë dhe çmimet sipas tij do shkonin kacafiu.

Në nëntor, Rama e përsëriti dhe përforcoi pretendimin e tij duke u shfaqur sërish ogurzi. Në të dyja rastet dhe gjatë gjithë kohës asnjë lider shteti në Evropë nuk krijoi panik të tillë. Nëntori solli valë të dytë rritje çmimesh në produkte dhe shërbime, duke reflektuar deklaratën e Ramës si Bursa ende inekzistente e Shqipërisë.

Në shkurt 2022, sërish Rama doli me skenarë ogurzinj dhe lufta që nisi Rusia me Ukrainën, ishte argument i fortë.

Që nga muaji më i shkurtër i vitit dhe deri tani, rritja e çmimeve nuk po ka të ndalur. Dhe ç’është më e keqja, është krijuar një standard shqetësues i normalitetit të ri të përballjes me rritje të herëpashershme çmimesh.

Shumë produkte dhe shërbime janë rritur duke filluar nga 20 për qind e plot të tjera shumë më shumë. Qytetarët, po e shohim vetë se si po ndikon vala e re e rritjes së çmimeve në jetën e tyre. Kanë më pak lekë në duar, u mbeten më pak nëse kanë mundësi të kursejnë dhe janë përfshirë nga ankthi për të ardhmen që duket të jetë goxha e zymtë.

Pikërisht në këtë vorbull, lajmi që qeveria po rrit pagat për mësues dhe mjekë me 6 për qind, nuk gëzon askënd.

Së pari nuk kemi të bëjmë me rritje pagash, por indeksim çmimesh, dhe kjo vetëm pjesërisht. Mos harrojmë se shteti e ka për detyrë me ligj të indeksojë rregullisht inflacionin. Në këtë situatë, as indeksimi nuk vlen.

Së dyti, kjo shtesë nuk arrin aspak të përmbushë rimbursimin e çmimeve me të cilat po përballen qytetarët.

Së treti, kjo është një shtesë 6 për qjnd me përzgjedhje, vetëm e dy fronteve pune, duke lënë edhe pa këtë indeksim të vogël, shumë njerëz të tjerë që punojnë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve. Këtu lind pyetja: Përse ky trajtim i padrejtë?