Transmetuar më 06-07-2022, 19:13

Tiranë- Një skandal u zbulua me varrezat e Tufinës në Tiranë ku një grup punonjësish, përfshi edhe drejtorin, shisnin vendet për varre. Drejtori i Varrezave në Bashkinë Tiranë, Eljodor Ndini u zbulua nga një episod ku është është kapur duke marë para dhe euro, në këmbim të shitjes së një sipërfaqe toke për qëllime varrimi në Tufinë. Gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews se në dosje flitet për një nga disa episodet e hetuara, ku në rastin e drejtorit Ndini është futur një agjent policie, i cili është kamufluar si banor i Tiranës. Agjenti është shtirur duke krijuar një histori se, halla e tij që jetonte në Gjermani, kishte ndëruar jetë dhe në familjen e saj në Tiranë kishin nisur përgatitjet për të zhvilluar ceremoninë e varrimit. Agjenti është interesuar tek Agjensia e Shërbimit Funeral në Bashkinë Tiranë, duke zhvilluar një takim me drejtorin Eljodor Ndinin. Qëllimi i këtij takimi ka qënë pikërisht sigurimi i një vendi të mirë për varrimin e hallës që kishte ndëruar jetë në Gjermani.

Nga përgjimi ambjental, rezulton se Eljodor Ndini, e siguron se do i gjente një vend të mirë për hallën, por duhej të respektohej nga ana e farefisit pasi vendet ishin të limituara. Nga ana tjetër agjenti i premton gjatë bisedës drejtorit Ndini, se pjesën e respektit dhe pagesën mos ta kishte merak fare. Ata e kanë lënë të takohen edhe një herë tjetër në ambjentet e një kafe në Tiranë, ku agjenti që interesohej për një varr për hallën në Tufinë i ka dhënë shumën prej 800 mijë lekë të vjetra Eljodor Ndinit. Ky i fundit del në përgjime se tashmë puna është mbyllur, pasi vendi i varrimit është gjendur dhe kishte pamje të mirë. Gjithashtu sipas Ndinit për këtë rast ishin njoftuar dhe punëtorët e ndërmarjes së varrezës publike në Tufinë, që të mos e zinin atë vend dhe ta kishin në kujdes deri në ditët kur do kryhej ceremonia e varrimit. Gjithçka është dokumentuar nga ana policisë dhe prokurorisë, ndërsa sasia prej 800 mijë lekë të vjetra është siguruar nga fondi financiar i Policisë së Tiranës.

Në dosjen hetimore thuhet se ditët po kalonin dhe halla që kishte “vdekur” në Gjermani, nuk po dukej në varrezat e Tufinës. Eljodor Ndini interesohet dhe shfaq interes, duke marrë në telefon agjentin e infiltruar, të cilin e pyet se pse nuk po kryhej ceremonia e varrimit pasi kishte disa ditë që ishte siguruar dhe paguar vendi i varrimit. Nga ana tjetër agjenti i infiltruar i shprehet drejtorit të varrezave se ceremonia e varrimit mund të zgjasë disa ditë, pasi ende në Shqipëri nuk kishte mbërritur trupi i saj.

Agjenti i komunikon Ndinit se gjermanët kanë rregulla strikte dhe vonojnë procedurën, pasi duhet të kryhet autopsia dhe të bëhen të gjitha pagesat e shërbimit kufitar në këtë shtet. Në fakt halla e vdekur e agjentit të infiltruar nuk erdhi kurrë në Shqipëri. Rastin në fjalë se gjithçka ishte një truk policor, Eljodor Ndini, e ka mësuar vetëm kur është arrestuar. Gjithashtu nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar në disa raste se veç Eljodor Ndinit, në shitjen e varreve kanë qenë dhe punonjës të varrezës publike Tufinë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit në shuma monetare që variojnë nga 300 deri 500 mijë lekë të vjetra, bënin të mundur pronotimin e varreve për qytetarë të ndryshëm.

Në përgjimin e bisedave Eljodor Ndini, ka rezultuar e provuar se ushtronte ndikim të paligjshëm tek funksionarë të ndryshëm të institucioneve shtetërore, duke mundësuar nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit nga tërmeti pranë Bashkisë Tiranë, kundrejt pagesës 2 milion lekë të vjetra. Nxjerrjen e çertifikatave të pronësisë pranë zyrës së Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, përfitimin e çertifikatave të vaksinimit “Covid 19” sikur personat përfitues ishin vaksinuar kundrejt pagesës në vlerën 300 mijë lekë të vjetra. Gjithashtu Ndini ndërhynte dhe mundësonte nxjerrjen e kredisë së butë pranë bashkisë së Tiranë.

Të përfshirit në dosje:

Eljodor Ndini pergjegjes i varrezave tufine

Xhemal Mena punetor varrezat tufine

Latif Shehu punetor varrezat tufine

Gazment Daja punetor varreza tufine

Bujar Lica sekser

Alban Ajazi sekser

Endrin Milla sekser

Fatjoj Gjonaj pjese e grupit akuzuar per ndertim te paligjshem

Roza Ndoj ne akuze per shperdorim detyre

Juliaj Çuka ne akuze per shperdorim detyre

Shaqir Nika sekser shpallur ne kerkim

Fabjon Gjonaj shpallur ne kerkim. Ne akuze per ndertim pa leje.