Transmetuar më 08-07-2022, 09:48

Evropianët rrezikojnë të shohin që shërbimet e mediave sociale Facebook dhe Instagram të mbyllen këtë verë, pasi rregullatori i privatësisë i Irlandës dyfishoi urdhrin e tij për të ndaluar transferimin e të dhënave në SHBA.

Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, të enjten informoi homologët e tij në Evropë se do të bllokojë pronarin e Facebook-ut, “Meta” nga dërgimi i të dhënave të përdoruesve nga Evropa në SHBA. Projektvendimi i rregullatorit irlandez godet mjetin e fundit ligjor të “Meta” për të transferuar pjesë të mëdha të të dhënave në SHBA. Kjo, pas vitesh betejash të ashpra gjyqësore midis gjigantit të teknologjisë amerikane dhe aktivistëve evropianë të privatësisë.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë në vitin 2020 anuloi transferimin e të dhënave të përdoruesve BE-SHBA. Në vendimin e saj, gjykata e bëri gjithashtu më të vështirë përdorimin e një mjeti tjetër ligjor që “Meta” dhe shumë firma të tjera amerikane përdorin për të transferuar të dhëna personale në SHBA, të quajtur klauzola standarde kontraktuale (SCC).

Vendimi i kësaj jave i Irlandës do të thotë se Facebook është i detyruar të mos mbështetet gjithashtu në SCC. “Meta” ka paralajmëruar vazhdimisht se një vendim i tillë do të mbyllte shumë shërbime të tij në Evropë, përfshirë Facebook dhe Instagram:

"Nëse një kornizë e re e transferimit të të dhënave transatlantike nuk miratohet dhe ne nuk jemi në gjendje të vazhdojmë të mbështetemi në SCC ose të mbështetemi në mjete të tjera alternative të transferimit të të dhënave nga Evropa në SHBA, ka të ngjarë të mos jemi në gjendje të ofrojmë produkte dhe shërbime nga më të rëndësishmet tona, duke përfshirë Facebook dhe Instagram, në Evropë”, – tha “Meta” në mars të këtij viti.

Urdhri i bllokimit irlandez, nëse konfirmohet nga grupi i rregullatorëve kombëtarë evropianë për mbrojtjen e të dhënave, ka të ngjarë të shkaktojë një ftohje edhe në komunitetin më të gjerë të biznesit, i cili ka shprehur habinë se si mund të vazhdojë dërgimi i të dhënave nga Evropa në SHBA, sipas BE-së.

BE dhe SHBA janë në mes të negociatave për një tekst të ri të transferimit të të dhënave që do t’i lejonte kompanitë si “Meta” të vazhdojnë të dërgojnë të dhëna përtej Atlantikut, pavarësisht nga kushtëzimi irlandez. Brukseli dhe Uashingtoni në mars ranë dakord për një marrëveshje paraprake në nivel politik, por negociatat mbi gjurmët e imta ligjore kanë ngecur. Pra, marrëveshja përfundimtare nuk ka gjasa të arrihet para fundit të vitit.

Një zëdhënës i DPC-së irlandeze konfirmoi se projektvendimi iu ishte dërguar rregullatorëve të tjerë evropianë të privatësisë, të cilët tani kanë një muaj kohë për të dhënë kontributin e tyre, por nuk do të diskutonin detajet e vendimit.

“Ky projektvendim, i cili është subjekt i shqyrtimit nga Autoritetet Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave, ka të bëjë me një konflikt të ligjit të BE-së dhe SHBA-së, i cili është në proces zgjidhjeje, – tha një zëdhënës i “Meta”. – Ne mirëpresim marrëveshjen BE-SHBA për një kuadër të ri ligjor që do të lejojë transferimin e vazhdueshëm të të dhënave përtej kufijve. Ne presim që ky kuadër të na lejojë të mbajmë të lidhur familjet, komunitetet dhe ekonomitë".