Transmetuar më 12-07-2022, 10:16

Nga ERION DASHO

Dje bëri përshtypje një vlog i shkurtër i tre të rinjve francezë që falenderonin stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” për shërbimin e marrë në rastin e një urgjence mjeksore.

Ndjesia e parë për çdo mjek kur dëgjoi një lajm të tillë pozitiv ishte ajo e kënaqësisë për humanizmin e treguar nga kolegët dhe, ndonëse bëhej fjalë për një problem fare të lehtë mjeksor, edhe për shkallën e përkujdesjes që treguan për të riun francez.

Ndjesia e dytë ishte ajo e pështirosjes kur ministrja e shëndetësisë dhe kryeministri e përdorën menjëherë këtë video për propagandën e tyre të zakonshme duke u përpjekur të fitojnë sadopak kapital politik edhe nga një ngjarje banale.

Nuk e besoj se homologët turq, malajzianë, tajlandezë apo koreano-jugorë të Ramës dhe Manastirliut mburren me miliona turistë mjeksorë që trajtojnë çdo vit spitalet e tyre ultramodernë, aq sa u mburr Rama dje se profesorët e një spitali universitar trajtuan një krizë astme!

Dhe e fundit, por jo e parëndësishme, i riu francez e mori falas shërbimin shëndetësor. Janë të paktën dy lloj sigurimesh shëndetësore që i riu francez me siguri ka patur:

》Sigurimi shëndetësor social dhe karta europiane e shëndetit që ka çdo qytetar europian.

》Sigurimi shëndetësor në udhëtim.

Por me siguri, administrata e spitalit, sikundër çdo spital tjetër në sistemin rrumpallë të Boratit, kimistëve dhe klarinetistëve nuk ka një procedurë të qartë për të arkëtuar qoftë edhe një shumë modeste (200 apo 300 euro) të cilën i riu francez do ta rimbursonte 100% pas kthimit në Francë.

Prandaj, Borat, para se të mburresh se profesorët dhe kolegët tanë trajtojnë "me sukses" një krizë astme, mundësoju spitaleve të tu të vetëmenaxhohen. Ky është një nga hapat e parë drejt autonomisë…