Transmetuar më 14-07-2022, 11:08

Tiranë- Rritet mosha e shoferëve për patentat. Qeveria shqiptare ka vendosur të bëjë disa ndryshime në Kodin Rrugor dhe të rrisë me 5 vite jetëgjatësinë e shoferëve përmes zgjatjes së vlefshmërisë së patentave për kategoritë A dhe B nga 65 në 70 vjeç.

Në kodin aktual afatet e lejes së drejtimit janë nga 10, 5, 3 dhe me ndryshimet pritet të 2 kalojnë në 15 dhe 5, sipas grupmoshave, por duke rritur grupmoshën e cila ka të drejtë ta ketë për 15 vjet lejen e drejtimit. Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, sqaroi se ndryshimet janë të nevojshme dhe nevojitet një rritje e moshës së specialistëve rrugorë nga 65 deri në 70 vjeç, ndërsa tregoi edhe kufizimet për shoferët e rinj dhe të moshave të reja. Sipas propozimit të tij, Balla tha shpejtësia për shoferët e rinj deri në 3 vite nga dita e patentimit limitohet nga 80 në 70 km në me qëllim uljen e numrit të aksidenteve. “Në këndvështrimin tim, mendoj që ndryshimet që kanë të bëjnë me kufizim të shpejtësisë për të patentuarit për herë të parë të moshës së re i referohen modelit italian. Që tre vitet e para të ketë kufizim shpejtësie nga 80 km të shkojë në 70 km. Pas tre vitesh, mund të jetë arritur pjekuria. Një gjë tjetër që për mua është shumë e rëndësishme, është numri i atyre që përfitojnë të kategoritë A dhe B dhe që kishim limitin moshor deri në 65 vjeç dhe duam ta çojmë deri në 70 vjeç, duke ruajtur disa kufizime që kanë të bëjnë me llojin e mjeteve. Por, e vërteta është që çdo ditë e më shumë po na ulet numri i specialistëve në makineri të caktuara dhe mendoj që spostimi nga 65 në 70 vjeç është i nevojshëm, duke pasur parasysh që këta lloj specialistësh mund të vazhdojnë ta bëjnë këtë punë deri në moshën 70- vjeç, duke iu referuar eksperiencave europiane”, tha Balla. Por, kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Arben Pëllumbi, u shpreh se ndryshimet lidhen edhe për shkak të jetëgjatësisë së qytetarëve, duke theksuar se ndryshimet e propozuara u japin një mundësi për të punuar moshës 65-70 vjeç, por me disa kufizime. “Ne sot kemi një kufizim te mosha 50-vjeç dhe pastaj ulet mosha me të cilën ti patentohesh. Sot, e zgjasim deri në 70 vjeç, duke pasur parasysh rritjen e jetëgjatësisë dhe të shëndetit të njerëzve, por edhe kohën e aftësisë në punë të qytetarëve”.

Propozimet në Kodin Rrugor kanë edhe disa kufizime për drejtuesit e disa kategorive të patentave. Balla propozoi edhe ndryshime të limiteve të shpejtësisë në bazë të rrugës, por më parë kërkoi të merret miratimi i ARSH-së. “Ne duhet ta spostojmë këtë limit nga 110 km në orë në 130 km në orë. Jam dakord që në rrugët brenda qyteteve limiti 40 km në orë është shumë i lartë. Në qendër të Tiranës kemi pasur raste të aksidenteve rrugore për shkak të limitit 40 km. Trendi global është që brenda qyteteve të jetë limiti 30 km në orë”, tha Balla. Sipas socialistit Pëllumbi: “Ne i japim një ndihmë të madhe moshës 65-70 vjeç, duke iu rritur kohëzgjatjen e tyre në punë, sigurisht duke u kufizuar llojin e mjetit, do përdorin një mjet më të lehtë. Nëse një shofer kamioni dhe autobusi që nuk e bënte dot këtë punë pas moshës 65-vjeç, pas kësaj moshe ai nuk do jetë më shofer kamioni apo autobusi por mund të marrë furgon. I japim këtë lloj mundësie. Do të vendosim dy kufizim për ata që marrin patentën për herë të parë. Së pari, ka të bëjë me çështjen e shpejtësisë, e ulim më 10 km në orë shpejtësinë maksimale ata që patentohen për herë të parë, nga 80 km në orë do e ulim në 70 dhe e dyta iu kufizojmë fuqinë motorike të mjetit që mund të përdorin”. Nga ana tjetër, deputetët e PDsë u shprehen se këto ndryshime nuk do sjellin ndonjë efekt në ndalimin e aksidenteve, pasi sipas tyre problem kryesor është gjendja e rrugëve dhe mungesa e sinjalistikës. “Numri i lartë i aksidenteve edhe në qytete vjen nga të rinjtë që janë familjarë të biznesmenëve, apo politikanëve, nga njerëz të fortë që qarkullojnë edhe apa patenta apo edhe nga vetë persona të veshur me pushtet. Këta janë ata që shkelin më tepër sot kodin rrugor dhe ulin sigurinë. Niveli i rrugëve, shumë i dobët. Mungesa e investimeve dhe investimet në sinjalistikë janë shkaktarë të shumë e shumë aksidenteve në vend, edhe me viktima”, tha Bushati.

Sipas deputeti socialist Taulant Balla, numri i qytetarëve që përfitojnë janë të shumtë dhe ndryshimet duhet të mbështeten edhe nga opozita. “Qytetarët shqiptarë kursejnë rreth 9.7 milionë dollar gjatë një viti nga rikonceptimi i propozuar në Kodin Rrugor. Nga thjeshtëzimi i praktikave, 6.4 milionë dollarë dhe nga zgjatja e afatit të vlefshmërisë 2.7 milionë dollar. Përfituesit janë 80 mijë qytetarë në vit për shkak të uljes së kohës së rinovimit. Për drejtuesit e mjeteve të kategorisë A dhe B deri në 50 vjeç janë 54 mijë qytetarë në vit, rinovim për 10 vjet, të cilët do ta rinovojmë me ndryshimet për 15 vjet. Për drejtuesit e mjeteve të kategorive A dhe B janë 26 mijë qytetarët që rinovonin për 5 vjet, do ta rinovojnë për 15 vjet. Për drejtuesit e mjeteve të kategorive A dhe B me aftësi të kufizuar deri në 65 vjeç, janë 778 qytetarët që e rinovojnë çdo tre vjet, do ta rinovojnë për 5 vjet”, tha deputeti i PS. Nga ana tjetër deputet e PD u shprehen se këto ndryshime nuk do sjellin ndonjë efekt në ndalimin e aksidenteve, pasi sipas tyre problem kryesor është gjendja e rrugëve dhe mungesa e sinjalistikës.