Transmetuar më 21-07-2022, 01:48

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka paguar nga xhepi varrmihës që të zbulojë një krim që kishte nën hetim vite më parë kur ishte agjent antikrimi në Tiranë.

Zbulimi u bë publik sot në rrjetet sociale. Gazetarja e kronikës së zezë, Anila Hoxha thotë se ngjarja lidhet me trazirat e vitit 1997 dhe hetimet që u bënë më vonë për krimet e asaj periudhe.

Hoxha thotë se Gledis Nano, në fillimet e tij si agjent në hetimin e krimeve, po hetonte për një krim të pazbuluar të pas 1997.

"Gledis Nano i ishte vënë pas për të zbuluar vrasësin dhe ndaj siç duket punoi shume me informatorët. Dikush i tregoi madje edhe vendin ku trupi i viktimës ishte fshehur. Por i ri, mbase me frikën se mund të mos ishte e vërtetë si edhe dyshues e siç duket edhe pa mbështetje nga eprorët, Gledis Nano pagoi nga xhepi një varrmihës për të kontrolluar. Doli që informatori nuk e kishte gënjyer. Kufoma ishte varrosur aty dhe rezultati dihet, ngjarja u zbardh", kujton Hoxha.

Aktualisht, Gledis Nano është drejtor i policisë së shtetit pasi më herët ishte shef i Antiterrorit.

Orët e fundit ai u bë protagonist i publikimeve mediatike pasi doli se kishte firmosur një shkresë ku orientonte grupin hetimor për vrasjen e trefishtë të Fushë Krujës, duke u kërkuar të marrin në pyetje një numër të dyshuarish. /noa.al