Transmetuar më 03-08-2022, 20:57

BRUKSEL- NATO do ndërhyjë nëse cënohet stabiliteti në Kosovë.

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri me dije se ka folur me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç për tensionet në veri të Kosovës.

Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, kreu i NATO-s pohon se të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. Ai shton se NATO dhe KFOR qëndron i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, bazuar në mandatin e saj të OKB.

"Fola me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për tensionet në veri të Kosovës. Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe të zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. NATO dhe KFOR qëndron i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, bazuar në mandatin e tyre nga OKB,"-shkruan Stoltenberg.

Disa ditë më parë, Veriu i Kosovës u përfshi nga tensionet pasi qeveria e Kosovës paralajmëroi se duke nisur nga 1 gushti qytetarët serb që kanë makina me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, do të mund të riregjistrojnë makinat e tyre me targat RKS (Republika e Kosovës). Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për shtetasit e Kosovës prej 11 vjetësh. Pas tensioneve dhe kërkesës së SHBA, Kurti vendosi shtyrjen me një muaj të këtij vendimi. Nuk dihet se çfarë do ndodhë pas shtyrjes së afatit 1-mujor.