Transmetuar më 12-08-2022, 23:53

FBI gjeti dokumente që u etiketuan "tepër sekret" pas një bastisjeve në pronat e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida. Pohimi erdhi pak orë pasi një gjykatës federal zbuloi urdhrin që autorizoi kontrollin e paprecedentë ndaj ish Presidentit. Vetë Trump reagoi në rrjetin e tij social Truth duke nxitur autoritetet që të publikojnë këto dokumente.

Agjentët e FBI-së morën 11 grupe të dhënash të klasifikuara nga prona e Trump, gjatë një kontrolli të këtyre ditëve.

Të dhënat e sekuestruara përfshijnë disa të sigluara jo vetëm tepër sekrete, por edhe "informacione të ndjeshme për t’u ndarë", një kategori e veçantë që synon të mbrojë sekretet më të rëndësishme të vendit që nëse zbulohen publikisht mund të shkaktojnë dëme "jashtëzakonisht të rënda" për interesat e SHBA.

Procesverbalet e gjykatës që ka administruar dosjen, nuk jepnin detaje specifike në lidhje me informacionin që mund të përmbanin dokumentet.

Urdhri gjyqësor qartëson se agjentët federalë po hetonin shkeljet e mundshme të tre ligjeve të ndryshme federale, duke përfshirë atë që rregullon mbledhjen, transmetimin ose humbjen e informacionit në fushën e mbrojtjes sipas Aktit të Spiunazhit. Hetime po kryhen edhe për dyshimet se janë fshehur, shkatërruar, ndryshuar apo falsifikuar të dhëna dhe dokumente.

Agjentët federalë kanë mbledhur të dhëna të tjera presidenciale, duke përfshirë urdhrin për faljen e aleatit të Trump, Roger Stone. FBI tha se gjeti një "kuti të lidhur me lëkurë, e mbushur me dokumente" si dhe informacione për Presidentin e Francës.

Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe një lidhëse fotografish, një shënim me shkrim dore, “dokumente të ndryshme sekrete” dhe “dokumente të ndryshme konfidenciale”, citon noa.al, raportin e mbrëmjes së sotme në Associated Press.

Avokatja e Trump, Christina Bobb, ishte e pranishme në Mar-a-Lago kur agjentët kryen kontrollin.

Në një deklaratë më herët të premten, Trump pretendoi se dokumentet e sekuestruara nga agjentët ishin "të gjitha të deklasifikuara" dhe argumentoi se ai do t’i kishte dorëzuar ato nëse Departamenti i Drejtësisë do t’i kishte kërkuar.

Ndërsa presidentët në detyrë në përgjithësi kanë fuqinë për të deklasifikuar informacionin, ai autoritet skadon sapo ata të lënë detyrën. Nuk është e qartë nëse dokumentet në fjalë ishin deklasifikuar ndonjëherë.

Madje edhe kompetencat e një presidenti aktual për të deklasifikuar mund të jenë të kufizuara në lidhje me sekretet që kanë të bëjnë me programet e armëve bërthamore, operacionet e fshehta dhe operativët, si dhe disa të dhëna të ndara me aleatët.

Trump këmbënguli për mbajtjen e dokumenteve pavarësisht kërkesave të shumta nga agjencitë, duke përfshirë Arkivin Kombëtar, për të dorëzuar të dhënat presidenciale në përputhje me ligjin federal.

Urdhri i kërkimit në Mar-a-Lago, ishte pjesë e një hetimi të vazhdueshëm të Departamentit të Drejtësisë për zbulimin e të dhënave të klasifikuara të Shtëpisë së Bardhë të gjetura nga shtëpia e Trump më herët, në fillim të këtij viti. Arkivat i kishin kërkuar departamentit të hetonte pasi tha se 15 kuti të dhënash që mori nga prona e Trump, përfshinin të dhëna të klasifikuara.