Transmetuar më 14-08-2022, 15:19

Ekspertët zbulojnë efektet e nxehtësisë gjatë natës dhe rrezikun e vdekshmërisë

Studiuesit kinezë dhe të huaj kanë zbuluar efektet e motit të nxehtë gjatë natës në rrezikun e vdekshmërisë, duke publikuar gjetjet e tyre në revistën “Lancet Planetary Health”, citon “Xinhua”.

“Ndikimet shëndetësore të ngrohjes klimatike zakonisht përcaktohen në bazë të temperaturave mesatare ditore, ndërsa pak është studiuar për rreziqet shtesë shëndetësore që vijnë nga netët e nxehta”, -tha Kan Haidong, profesor në Universitetin Fudan.

Studiuesit kanë mbledhur të dhëna të vdekshmërisë në 28 qytete nga Kina, Republika e Koresë dhe Japonia, nga viti 1981 deri në vitin 2010, duke studiuar efektet e temperaturave të larta gjatë natës, që çoi në përfundimin se rritja e tyre ndikon në shtimin e rreziqeve të vdekshmërisë.

Sipas studimit, rreziku relativ i vdekshmërisë në ditët me net të nxehta mund të jetë 50 për qind më i lartë se në ditët me net jo të nxehta.

“Gjetjet tona sugjerojnë një rol në rritje të ngrohjes gjatë natës në efektet shëndetësore të lidhura me nxehtësinë në një klimë në ndryshim”, -tha Kan.