Transmetuar më 18-08-2022, 20:43

Prishtinë- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, u takuan sot në Bruksel me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të BE-së.

Për këtë ka reaguar dhe qeveria e Kosovës e cila përmes një deklarate për mediat, ka dhënë detaje nga takimi për çështjet që janë diskutuar.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se janë diskutuar dy tema. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes, ndërsa e dyta për çështjen aktuale politike e të sigurisë.

Sipas njoftimit, Kurti është shprehu se marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e zbatueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohja reciproke të jetë në qendër. Ndërsa, ka prezantuar disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në deklaratë.

Takimi i sotëm shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian. Në raundin e parë të bisedimeve i pranishëm ishte dhe i dërguari i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili u shpreh se SHBA-të i kushtojnë një vemendje të veçantë dialogut mes dy vendeve si e vetmja zgjidhje për të mos shkuar në konflikte. Por ky takim ka përfunduar pa një marrëveshje mes palëve duke e lënë konfliktin të hapur. Shefi i diplomacisë europiane Joseph Borrell më herët u shpreh besimplotë se do kishte një marrëveshje mes palëve por duket se përfundimi nuk ishte ashtu. Ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thirrur në Beograd serbët e Kosovës në një takim që do të mbahet në sheshin "Serbia" ku pritet të mbajë dhe fjalimin më të rëndësishëm të tij në lidhje me dialogun e zhvilluar në Bruksel dhe do njoftojë se si do të vijohet me konfliktin në veri të Kosovës.