Transmetuar më 18-08-2022, 22:00

Në Bruksel u mbajt sot takimi i tretë i nivelit të lartë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ai duhet të mbahej më 19 korrik, por u shty për muajin gusht me kërkesën e palës serbe, kurse Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kishte shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje.

Qeveria e Kosovës në një deklaratë shpjeguese tha se sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes.

Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

Edhe pas disa orësh negociata, Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.

Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

Kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian, z.Borrell dhe z.Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Më herët, delegacioni i Serbisë njoftoi se bisedimet në takimin e nivelit të lartë për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel kanë shkuar keq.

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, shtoi se për këtë arsye presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të vijojë të qëndrojë në Bruksel deri nesër, kur pritet të mbajë atë që ai e paralajmëroi si fjalimin më domethënës drejtuar kombit.

“Presidenti Aleksandar Vuçiç nuk do t’i drejtohet publikut sot. Ai do të qëndroj në Bruksel, ndërsa do t’I drejtohet publikut nesër pasdite ose në mbrëmje. Do të jetë një nga fjalimet më të rëndësishme drejtuar kombit. Askush nga delegacioni i Beogradit nuk do të flasë sot. Më e rëndësishmja është se ne kemi luftuar për paqen, stabilitetin, për zgjidhje kompromisi dhe për këtë arsye presidenti Aleksandar Vuçiç po qëndron këtu në Bruksel për disa kohë. Ne menduam se ishte e mundur të arrihej një kompromis, por Kurti refuzoi gjithçka”, tha Petkoviç.