Transmetuar më 26-08-2022, 14:27

KOSOVË- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt” ka thënë se nga data 1 shtator do të hyjnë në fuqi masat e reciprocitetit për targat dhe për dokumentet për hyrje-dalje. Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se këto masa do të jenë në fuqi për një afat të pacaktuar kohor, megjithatë shton se është i gatshëm për marrëveshje.

Kurti ka thënë se është i gatshëm që t’i shtrëngojë duart me Vuçiç “nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen”.

“Unë jam gati të shtrëngoj duart me Vuçiçin, nëse Serbia pranon të heqë dorë nga kontrollet kufitare në të ardhmen, atëherë ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Atëherë 1 shtatori do të ishte pa rregulla të reja”, ka thënë Kurti për Die Welt.

Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për barrikadat dhe tensionet e 31 korrikut. Kreu i Qeverisë së Kosovës deklaroi se ato nuk u shkaktuan nga serbët e thjeshtë në atë pjesë, por nga krimi i organizuar dhe oligarkët, të cilët edhe marrin paga nga Serbia.